Protestë tjetër e hebrenjve në ShBA, kërkojnë armëpushim në Gaza
Qindra protestues, të udhëhequr nga aktivistë hebrenj të së djathtës ekstreme, protestuan brenda ndërtesës federale në Oakland të Kalifornisë, duke kërkuar armëpushim në Gaza. Policia arrestoi disa persona.
Disa persona me rroba në të cilat shkruhej “Hebrenjtë thonë armëpushim tash” dhe duke mbajtur në duar pankarta ku shkruhej “Jo në Emrin Tonë” dhe “Lëreni Gazën të Jetojë” u grumbulluan në mbrëmjen e së hënës në ndërtesën federale “Ronald V. Dellums”, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Njëra nga organizatoret e protestës, organizata “Zëri Hebraik për Paqe”, tha se dhjetëra persona u ndaluan nga policia deri në orën 21.
Protestuesit u shoqëruan jashtë ndërtesës nga policia e Departamentit të Sigurisë së Atdheut.
“Nuk ka zgjedhje tjetër. Sa njerëz duhet të vrasim para se të arrijmë në një armëpushim”- tha rabinia Lynn Gottlieb për një televizion lokal, duke treguar pse po merrte pjesë në protestë.
Protesta të ngjashme nga komuniteti hebraik në ShBA janë mbajtur edhe ditëve të kaluara.
