Protestat në Rusi e "referendumet" në Ukrainë – zhvillimet kryesore nga konflikti - NACIONALE

Protestat në Rusi e "referendumet" në Ukrainë – zhvillimet kryesore nga konflikti

2 muaj më parë

nga Miranda Shala

Që nga urdhëri i Vladimir Putin për një mobilizim ushtarak, tensionet janë rritur në të gjitha qytetet ruse. Protestat janë duke u zhvilluar tanimë për tre ditë, ndërsa është njoftuar për arrestime të shumta.

Në të njejtën kohë në rajonet e pushtuara nga rusët në Ukrainë kanë nisur votimet për referendum ku raporte të shumta kanë treguar se njerëzit po detyrohen të votojnë më shumë se një herë.

Në vazhdim gjeni edhe zhvillimet më kryesore të ditës nga lufta Rusi-Ukrainë.

  • Në protestat kundër mobilizimit ushtarak, grupi i pavarur i monitorimit ka bërë të ditur se më shumë se 730 njerëz janë arrestuar në të gjithë Rusinë.
  • Sipas mediave ruse, një ligj i ri i nënshkruar nga Vladimir Putin thotë se trupat ruse që refuzojnë të luftojnë, dezertojnë, nuk i binden ose dorëzohen armikut tani mund të përballen me një dënim me burg deri në 10 vjet.
  • Zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Dmitry Bulgakov, i cili ka qenë në krye të logjistikës ushtarake që nga fillimi i pushtimit në Ukrainë, është shkarkuar nga posti i tij. Ai është zëvendësuar nga gjenerali Mikhail Mizintsev, kreu i Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Mbrojtjes, i cili mbikëqyri rrethimin e Mariupolit nga Rusia.
  • Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, tha në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se Kina mbështet të gjitha përpjekjet për zgjidhjen paqësore të "krizës" në Ukrainë.
  • Zëdhënësi i ministrisë së Iranit, Nasser Kanaani, "këshilloi" Ukrainën që të "përmbahet nga ndikimi i palëve të treta që kërkojnë të shkatërrojnë marrëdhëniet midis dy vendeve". Deklarata erdhi pasi Ukraina uli marrëdhëniet diplomatike me Iranin të premten dhe hoqi akreditimin e ambasadorit të saj për vendimin "jomiqësor" të Teheranit për të furnizuar forcat ruse me dronë.
  • Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, i kërkoi Evropës të tregojë një "hapje ndaj atyre që nuk duan të ikin nga Kremlini".
  • Radha në kufirin midis Rusisë dhe Gjeorgjisë është afërsisht 10 km e gjatë, ku thuhet se njerëzit kanë pritur më shumë se 20 orë për të kaluar.
  • Sipas ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, autoritetet ruse në rajonet e pushtuara të Zaporizhzhia dhe Kherson dyshohet se kanë filluar të shpërndajnë draft njoftime dhe të mobilizojnë burra në moshë rekrutimi, të cilët "hoqën dorë nga shtetësia ukrainase dhe morën pasaportat e Federatës Ruse".
  • Volodymyr Zelensky u tha ukrainasve në territorin e pushtuar që të fshiheshin nga mobilizimi rus, të shmangnin letrat e rekrutimit dhe të shkonin në territorin e mbajtur nga Ukraina. Megjithatë, nëse përfundojnë në ushtrinë ruse, Zelenskiy u kërkoi njerëzve të shpëtonin jetën e tyre dhe të ndihmonin në çlirimin e Ukrainës.
  • Të ashtuquajturat referendume janë duke u zhvilluar në zonat e Ukrainës të pushtuara nga trupat ruse, ku banorëve u është thënë të votojnë propozimet që katër rajonet ukrainase të shpallin pavarësinë dhe më pas t'i bashkohen Rusisë. Zgjedhjet në provincat Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia do të zgjasin deri të martën dhe duket se janë një përpjekje për të siguruar mbulim për aneksimin e paligjshëm të rajoneve nga Moska.
  • OKB-ja ka thënë se hetuesit e saj kanë arritur në përfundimin se Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë, duke përfshirë bombardimet e zonave civile, ekzekutime të shumta, tortura dhe dhunë të tmerrshme seksuale.

Lajme të ngjashme