Presidenti kinez mungon në një forum biznesi në Afrikë të Jugut, askush s’tregon pse - NACIONALE

Presidenti kinez mungon në një forum biznesi në Afrikë të Jugut, askush s’tregon pse

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, të martën e shmangu papritmas pjesëmarrjen në një forum biznesi të grupit BRICS në Afrikë të Jugut, duke e dërguar ministrin e tij të Tregtisë për ta zëvendësuar e për të mbajtur një fjalim të ashpër në emër të presidentit, duke e qortuar hegjemoninë e ShBA-së.

Jinpingu arriti në Johanesburg të Afrikës së Jugut të hënën për të marrë pjesë në samitin vjetor të grupit BRICS të ekonomive në zhvillim. Ishte planifikuar që ai të mbante një fjalim në forumin biznesor të këtij grupi të martën pasdite, bashkë me udhëheqës nga India, Brazili e Afrika e Jugut, raporton televizioni CNN.

Megjithatë, presidenti kinez nuk u shfaq në këtë organizim dhe për mungesën e tij nuk pati ndonjë njoftim ose shpjegim zyrtar nga Pekini.

Në vend të tij, deklarata e përgatitur e Jinpingut, e mbushur me goditje të fshehura lehtas ndaj Shteteve të Bashkuara, që janë bërë veçori e fjalimeve të tij ndërkombëtare, u lexua nga ministri i Tregtisë i Kinës, Wang Wentao.

Në deklaratën e lexuar nga ministri, Jinpingu bëri thirrje që bota ta shmangë ecjen në gjumë “drejt humnerës së një lufte të ftohtë botërore”.

Pa i përmendur drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara, në deklaratë thuhet se “disa vende, të ngazëllyera me mbajtjen e hegjemonisë së tyre, kanë dalë nga rruga e vet për t’i dëmtuar tregjet në zhvillim dhe vendet në zhvillim”.

“Kushdo që është duke u zhvilluar shpejt, bëhet cak (i këtij vendi) për frenim. Kushdo që e merr veten, bëhet cak (i këtij vendi) për pengim, por kjo është e kotë”- thuhet më tej në deklaratën e lexuar nga ministri kinez.

Presidenti Jinping ishte udhëheqësi i vetëm i vendeve të grupit BRICS që nuk mori pjesë në forumin biznesor. Edhe presidenti rus, Vladimir Putin, që nuk mundi të merret pjesë fizikisht për shkak të një fletarrestimi ndërkombëtar për shkak të luftës në Ukrainë, dha një deklaratë në mënyrë virtuale.

Mungesa e befasishme e presidnetit kinez, që u theksua nga gazetarët në këtë forum, ngriti pyetje në mesin e vëzhguesve afatgjatë të politikës së jashtme të Kinës.

“Është tepër e pazakonshme që një udhëheqës kinez të shfaqet në një vend që organizon një takim shumëpalësh – sidomos një në të cilin Kina është thellësisht e interesuar, si BRICS – dhe të mos paraqitet në organizimin hapës”- tha Bonnie Glaser, drejtoreshë menaxhuese e programit për Indo-Paqësorin në Fondin Gjerman Marshall.

Lajme të ngjashme