Putini s’do të marrë pjesë në samitin në Afrikë të Jugut ku mund të arrestohej, do ta çojë Lavrovin
Presidenca e Afrikës së Jugut tha të mërkurën se presidenti rus, Vladimir Putin, nuk do të marrë pjesë në samitin BRICS në këtë shtet afrikan në gusht “përmes marrëveshjes së përbashkët”.
Rusia do të përfaqësohet në samit nga ministri i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov. Në Johanesburg do të jenë të pranishëm edhe udhëheqësit e Brazilit, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut, thuhet në deklaratën e presidencës së këtij shteti, raporton agjencia "Reuters".
Afrika e Jugut ishte ballafaquar me mëdyshje për organizimin e samitit, sepse, duke qenë anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, teorikisht do t’i kërkohej arrestimi i Putinit nën dyshimin për krime lufte, nëse presidenti rus do të merrte pjesë.
Në mars të këtij viti, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një fletarrestim për Putinin, duke e akuzuar atë për krimin e luftës – dëbim ilegal i fëmijëve nga Ukraina.
Moska ka thënë se ky fletarrestim është ligjërisht i pavlefshëm, sepse Rusia nuk është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Në një dokument të një gjykate lokale, të publikuar të martën, shihet se presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, kishte kërkuar leje nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për të mos e arrestuar Putinin, sepse një veprim i tillë do të përbënte shpallje lufte.
Të mërkurën, Kremlini tha se Rusia nuk i kishte thënë Afrikës së Jugut që arrestimi i Putinit sipas urdhrit të GjNP-së do të nënkuptonte luftë. Sidoqoftë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha para gazetarëve se të gjithë e kuptojnë – pa pasur nevojë që t’u shpjegohet – se çfarë do të nënkuptonte përpjekja për t’i shkelur të drejtat e Putinit.
