Presidenti i Nigerisë kërkon miratim nga Senati për ndërhyrje ushtarake në Niger - NACIONALE

Presidenti i Nigerisë kërkon miratim nga Senati për ndërhyrje ushtarake në Niger

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Nigerisë, Bol Tinubu, të premten kërkoi që deputetët e vendit të tij ta miratojnë dërgimin e ushtarëve në Niger, vend fqinj i Nigerisë, ku përmes një puçi ushtarak është rrëzuar presidenti i zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohamed Bazoum.

Në letrën e presidentit Tinubu kërkohet miratimi i Senatit për ndërhyrje ushtarake në Niger. Letra e presidentit erdhi pas ultimatumit prej një jave për kthimin e presidentit në pushtet. Ultimatumi është lëshuar nga një organizatë rajonale me 15 shtete të Afrikës Perëndimore, e cila tash për tash drejtohet pikërisht nga presidenti i Nigerisë, raporton agjencia “Anadolu”.

Ultimatumi i organizatës ECOWAS për puçistët e Nigerit përfundon këtë fundjavë.

Organizata rajonale tashmë i ka vendosur sanksione Nigerit, edhe pse ekspertët janë skeptikë për mundësinë e realizimit të një pushtimi, nëse puçistët nuk e respektojnë ultimatumin.

Presidenti nigerian në letrën e tij i sugjeroi edhe mbylljen dhe vëzhgimin e tërë kufirit tokësor me fqinjin verior dhe rifillimin e ushtrimeve kufitare.

Në mesin e disa masave të tjera, Tinubu dëshiron që të ndalen fluturimet komerciale e speciale për në Niger dhe nga Nigeri.

Të premten, qeveria ushtarake e Nigerit i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me katër shtete, përfshirë Nigerinë, e cila disa orë më parë e kishte ndërprerë eksportimin e energjisë elektrike për në vendin fqinj, pasi delegacioni i saj nuk arriti që të takohej me udhëheqësin e puçit.

Ndërkohë Algjeria, e cila nuk është anëtare e organizatës ECOWAS, e ka kundërshtuar mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Niger nga blloku i vendeve të Afrikës Perëndimore.

Lajme të ngjashme