Presidenti i Madagaskarit largohet nga vendi, thuhet se mund të jetë nisur për në Dubai
Presidenti i Madagaskarit, Andry Rajoelina, raportohet se është larguar nga vendi me një aeroplan ushtarak francez, disa orë para se të mbante një fjalim të planifikuar para popullit.
Radioja shtetërore franceze RFI raportoi të hënën se Rajoelina, i cili ka edhe shtetësi franceze, është larguar nga kryeqyteti Antananarivo, pas një marrëveshje me homologun francez, Emmanuel Macron. Kjo radio shtoi se presidenti i vendit ishullor afrikan mund të jetë nisur për në Dubai, shkruan gazeta “The Guardian”.
Rajoelina pritej t’i drejtohej popullit në orën 19:00, sipas një deklarate të presidencës në rrjetin “Facebook”.
Ai kishte shërbyer fillimisht si president nga viti 2009 deri më 2014 para se të rikthehej në pushtet më 2023. Presidenti u izolua gjithnjë e më shumë, pasi e humbi përkrahjen e një njësiti ushtarak kyç, i cili iu bashkua mijëra aktivistëve të rinj për të protestuar kundër korrupsion dhe varfëri. Lëvizja e protestuesve më herët kishte refuzuar një ftesë të presidentit për dialog dhe ia kishte kërkuar dorëheqjen.
Njerëzit vërshuan një shesh përballë ndërtesës komunale të kryeqytetit të hënën, duke valëvitur flamuj e duke brohoritur me slogane të ndryshme, disa duke u kapur për automjete ushtarake, sipas raporterëve të agjencisë AFP.
Në mesin e protestuesve kishte ushtarë nga njësiti elit “Capsat”, i cili kishte luajtur rol të rëndësishëm në puçin e vitit 2009 gjatë ngritjes së Rajoelinas në postin e presidentit, pasi protestat masive e kishin detyruar paraardhësin e tij, Marc Ravalomanana, që të largohej nga pushteti.
Të paktën 22 njerëz u vranë në ditët e para të protestave nga forcat e sigurisë dhe të tjerët gjatë dhunës së nxitur nga bandat kriminale dhe plaçkitësit, sipas OKB-së. Megjithatë, Rajoelina e ka vënë në pikëpyetje këtë numër, duke thënë se javën e kaluar ishin “12 vdekje të konfirmuara dhe të gjithë këta individë ishin plaçkitës dhe vandalë”.
Të shtunën, disa ushtarë të njësitit “Capsat” publikuan një video në rrjete sociale ku thuhej: “Le t’i bashkojmë forcat, ushtria, xhandarmëria dhe policia, dhe të refuzojmë që të paguhemi për t’i qëlluar miqtë tanë, vëllezërit tanë dhe motrat tona.”/Nacionale