Presidenti i Kolumbisë i quan “akt tiranie” sulmet e ShBA-së ndaj anijeve të dyshimta të drogës - NACIONALE

Presidenti i Kolumbisë i quan “akt tiranie” sulmet e ShBA-së ndaj anijeve të dyshimta të drogës

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Sulmet ajrore amerikane ndaj anijeve që dyshohej se po përdoreshin për trafikim të drogës në Detin e Karaibeve janë “akt tiranie”, i tha në një intervistë televizionit BBC presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro. Ai gjithashtu bëri thirrje për procedura penale kundër zyrtarëve amerikanë, nëse përmes hetimeve zbulohet se në këto sulme janë vrarë kolumbianë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka paraqitur këto sulme si të nevojshme për ta ndërprerë rrjedhjen e fentanilit dhe narkotikëve të tjerë ilegalë drejt Shteteve të Bashkuara. Thuhet se nga sulmet që nisën këtë muaj janë vrarë 17 njerëz, raporton televizioni BBC.

Ekspertët ligjorë dhe ligjvënësit kanë mëdyshje në lidhje me atë nëse këto sulme i shkelin ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Pse të hidhet një raketë, nëse thjesht do të mund ta ndalnit anijen dhe ta arrestonit ekuipazhin. Kjo është ajo që do të quhej vrasje” – tha presidenti kolumbian.

Duke folur me televizioni BBC të mërkurën, Petro tha se duhet të ketë “zero vdekje” gjatë ndaljes së anijeve të shpejta, për të cilat besohet se janë të përfshira në trafikimin e drogës.

“Ne kemi histori të gjatë të bashkëpunimit me agjencitë amerikane dhe me agjenci të tjera për të kryer sekuestrim të kokainës në det. Askush nuk ka vdekur ndonjëherë më parë. Nuk ka nevojë që të vritet askush” – shtoi Petro.

Sipas tij, parimi i proporcionalitetit të forcës shkelet, “nëse ju përdorni çfarëdo qoftë tjetër përpos një pistolete”.

Sulmet në ujëra ndërkombëtare janë përqendruar kryesisht ndaj Venezuelës, fqinje e Kolumbisë, sipas administratës së Trumpit, por Shtetet e Bashkuara kanë ofruar pak hollësi për caqet dhe individët e vrarë dhe raportimet e saj se anëtarë të bandës “Tren de Aragua” ndodheshin në anijen e parë të sulmuar janë kontestuar.

Ligjvënësit nga radhët e Partisë Demokratike në opozitë kanë kërkuar përgjigje nga Shtëpia e Bardhë për ligjshmërinë e këtyre sulmeve, të cilat ekspertët e Kombeve të Bashkuara i kanë përshkruar si ekzekutime jashtëgjyqësore./Nacionale

Lajme të ngjashme