Presidenti i arrestuar i Koresë së Jugut e refuzon marrjen në pyetje, e sfidon arrestimin
Presidenti i arrestuar i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, për të dytën ditë rresht të enjten nuk mori pjesë në marrjen në pyetje nga hetuesit, duke kundërshtuar më tej një hetim penal për atë nëse ai ka kryer kryengritje përmes shpalljes së ligjit ushtarak.
Të mërkurën, Yoon u bë presidenti i parë jugkorean në detyrë që u arrestua dhe u dërgua në Qendrën e Ndalimit në Seul, pasi kishte refuzuar që të bashkëpunonte me autoritetet. Ai mbeti aty edhe të enjten, ndërsa avokati e përmendi shëndetin e presidentit si faktor, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Autoritetet kanë 48 orë për ta marrë në pyetje presidentin e pezulluar. Pas kësaj periudhe, ato duhet ta lirojnë Yoonin ose të kërkojnë urdhërarrest për ta mbajtur në ndalim deri në 20 ditë.
Refulimi i Yoonit për të bashkëpunuar me hetuesit erdhi përderisa Gjykata Kushtetuese mbajti një seancë të dytë në rastin hetues kundër tij për të përcaktuar nëse presidenti do të shkarkohet në mënyrë të përhershme ose nëse do t’i rikthehen kompetencat presidenciale.
Koreja e Jugut është duke u ballafaquar me krizën më të rëndë politike në disa dekada, e nxitur nga përpjekja e shkurtër e Yoonit për ta vënë në fuqi ligjin ushtarak më 3 dhjetor. Ai ligj tashmë është shfuqizuar nga deputetët.
Në argumentet hapëse në Gjykatën Kushtetuese, një deputet opozitar i Partisë Demokratike e dënoi presidentin për atë që e quajti “kryengritja e 3 dhjetorit” dhe tha se Yooni dhe një numër i vogël i mbështetësve të tij kishin synuar që të nxisnin kaos përmes refuzimit që ta pranonin urdhërarrestin kundër tij.
Si kundërpërgjigje, njëri nga ekipet mbrojtëse të Yoonit tha se qëllimi i hetimit kundër presidentit nuk është mbrojtja e kushtetutës, por që opozita “ta shfrytëzojë fuqinë e shumicës në Kuvend për ta uzurpuar postin e presidentit”.
Partia Demokratike, që është partia kryesore opozitare, e përdori shumicën e saj në Kuvend për ta hedhur në votim hetimin kundër presidentit, edhe pse edhe 12 ligjvënës të partisë së Yoonit gjithashtu votuan “pro” hetimit./Nacionale