Presidenti i Algjerisë s’ia prish homologut gjerman, ia fal dënimin shkrimtarit Boualem Sansal
Presidenti i Algjerisë, Abdelmadjid Tebboune, ia ka falur dënimin me burgim shkrimtarit franko-algjerian, Boualem Sansal, pas një kërkese nga homologu gjerman, Frank-Walter Steinmeier, tha të mërkurën Presidenca e Algjerisë.
Autoritetet algjeriane e kishin arrestuar Sansalin para një viti dhe një gjykatë e dënoi atë në mars me pesë vjet burgim për minimin e unitetit kombëtar, në një rast që i ka tensionuar marrëdhëniet tashmë të vështira mes Algjerisë dhe Francës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sansal, 81 vjeç, kritikues i vjetër i autoriteteve algjeriane, ka qenë duke jetuar në Francë dhe i ka mohuar akuzat ndaj tij, duke thënë se kurrë nuk ka synuar që t’i fyejë Algjerinë ose institucionet shtetërore të saj.
Presidenca e Algjerisë tha në një deklaratë se Tebboune “iu përgjigj pozitivisht” apelit të presidentit gjerman, të cilin ai e përshkroi si “ diçka që ia vlen për natyrën dhe motivet e tij humanitare”.
Në deklaratën e Presidencës së Algjerisë thuhet se Gjermania do ta marrë përgjegjësinë për transferimin dhe trajtimin mjekësor të shkrimtarit. Mediat franceze kanë raportuar se Sansali ka kancer.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i falënderoi edhe homologun gjerman për ndërmjetësimin e tij, edhe homologun algjerian për atë që francezi e quajti “gjest i humanizmit”.
Më herët, kryeministri i Francës, Sebastien Lecornu, tha në Asamblenë Kombëtare në Paris se qeveria e tij ishte “e lehtësuar” nga lajmi për faljen e dënimit ndaj shkrimtarit Sansal, duke shtuar se shpreson që ai do të ribashkohet me familjen “sa më shpejt që është e mundshme” dhe të marrë trajtim mjekësor./Nacionale