Presidenti e kryeministrja e Finlandës e përkrahin anëtarësimin në NATO - NACIONALE

Presidenti e kryeministrja e Finlandës e përkrahin anëtarësimin në NATO

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Finlanda duhet ta dorëzojë aplikacionin për t’u anëtarësuar në NATO, thanë përmes një deklarate të enjten presidenti Sauli Niinisto dhe kryeministrja Sanna Marin.

“Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO pa vonesë”, thanë krerët e shtetit, Niinisto e Marin.

“Si anëtare e NATO-s, Finlanda do ta fuqizonte tërë aleancën e mbrojtjes. Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO pa vonesë. Ne shpresojmë që hapat kombëtarë, që ende nevojitem për ta marrë këtë vendim, do të merren shpejt brenda ditëve të ardhshme”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

“Tash që momenti i vendimmarrjes është afër, ne i deklarojmë qëndrimet tona të barabarta. Anëtarësimi në NATO do ta fuqizonte sigurinë e Finlandës”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

Në Suedinë fqinje, partia në pushtet, e cila ka qenë e përçarë për anëtarësimin në NATO, do ta publikojë qëndrimin e saj të dielën.

Dy shtetet skandinave kanë histori të gjatë të qëndrimit neutral ushtarak, që u ka dhënë formë identitetit dhe politikës së jashtme të tyre. Anëtarësimi në NATO do të ishte ndryshim monumental.

Pas fillimit të luftës në Ukrainë, niveli i ulët i përkrahjes së publikut për anëtarësim në NATO ndryshoi shumë dhe shkoi në shifra rekorde. 76 për qind e finlandezëve dhe 57 për qind e suedezëve tashmë e përkrahin anëtarësimin e shteteve të tyre në NATO.

Lajme të ngjashme