Sulmi i dytë masiv në Serbi: E pranon fajësinë i dyshuari për vrasjen e tetë personave
20 vjeçari serb, i dyshuar për vrasjen e tetë personave dhe plagosjen e 12 të tjerëve në dy fshatra të Serbisë, ka pranuar kryerjen e krimit ku me propozim të Prokurorisë së Lartë Publike në Smederevë, i është caktuar edhe paraburgimi.
Sipas mediave serbe i dyshuari ka pranuar se ka qëlluar me automatik në tre lokacione disa persona në grup dhe siç ka deklaruar ai, sulmi ka qenë për të trembur popullsinë e atyre vendbanimeve.
Kosovo Online raporton se ndalimi i tij është caktuar për shkak të rrezikut të arratisjes, për të mos ndikuar te dëshmitarët, për të mos e përsëritur krimin brenda një kohe të shkurtër dhe për shkak të shqetësimit të opinionit.
Dyshohet se U.B. ka kryer veprat penale të vrasjes së rëndë, prodhimit, mbajtjes dhe trafikimit të armëve dhe lëndëve plasëse pa leje, si dhe veprën penale të rrëmbimit të personit.
Kujtojmë se më 4 maj, në një sulm masiv orët e vona të mbrëmjes dhe gjatë natës, në territorin e Smederevës dhe Mlladenovcit, ai ka vrarë me të shtëna automatiku tetë persona dhe ka plagosur 12 persona. Ky ishte sulmi i dytë masiv në 48 orë, ku në të parin një 13-vjeçar vrau 8 nxënës dhe një rojë shkolle në Beograd, e pas të dy sulmeve ku në total mbetën të vrarë 17 persona dhe 21 të plagosur, tashmë ka filluar mbajtja e funeraleve për viktimat.
Motivi i të dy sulmeve është ende i paqartë, ndërsa është raportuar se djali 13-vjeçar, autor i sulmi në shkollë është vendosur në një klinikë të shëndetit mendor.
Si u zhvillua sulmi i dytë masiv në Serbi?
Policia serbe ka arritur që t’i rindërtojë lëvizjet e autorit të sulmit Urosh Bllazhiqi, nga Mladenovac. I armatosur me një pushkë automatike dhe me municion, Bllazhiqi u largua në shtëpia e tij në fshatin Shepshin rreth orës 21 e 45 minuta, kanë raportuar mediat serbe.
Disa kilometra më larg, në Mali Orashje, atij i morën vëmendjen një zjarr në natyrë dhe një shushurimë. E ndali veturën dhe shkoi te një fushë futbolli, ku ndodhej zjarri dhe ku disa djem të rinj gjendeshin përreth tij, raporton mediumi “Novosti”.
“Sipas asaj që ne tani e dimë, për shkak të errësirës, ata nuk panë se ai ishte i armatosur dhe e ftuan që të bëhej bashkë me ta e të pinte birrë”- thotë një burim i afërt me hetimin e rastit.
Për shkak të ditëve të zisë, të shpallura për shkak të vrasjes së nxënësve në Beograd, të rinjtë kishin vendosur që ta festonin Ditën e Shën Gjergjit një ditë më herët. Megjithatë, sulmuesi iu afrua atyre dhe menjëherë filloi që t’i qëllonte me armë.
