Polonia pengon një aeroplan rus mbi Baltik, raporton shkelje të hapësirës ajrore nga Bjellorusia
Polonia dërgoi aeroplanë luftarakë në qiell për të penguar një aeroplan rus të zbulimit që po fluturonte afër hapësirës së saj ajrore mbi Detin Baltik dhe tha se dhjetëra objekte hynë nga Bjellorusia gjatë natës, duke paralajmëruar se incidentet në periudhën e festive mund të sinjalizojnë një provokim.
“Këtë mëngjes, mbi ujërat ndërkombëtare të Detit Baltik, aeroplanët luftarakë polakë penguan, identifikuan në mënyrë pamore dhe përcollën nga zona e tyre e përgjegjësisë një aeroplan rus të zbulimit që po fluturonte afër kufijve të hapësirës ajrore polake” – tha të enjten ushtria e Polonisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Byroja e Sigurisë Kombëtare e Polonisë tha se disa dhjetëra objekte hynë në hapësirën ajrore polake nga Bjellorusia dhe katër të tilla të zbuluara deri më tani janë identifikuar si balona të mundshme trafikimi.
“… natyra masive e shkeljes së hapësirës ajrore polake, shfaqja e saj gjatë periudhës së veçantë të festive, vlerësimi i aktivitetit të aeroplanit rus në Detin Baltik dhe fakti që incidente të ngjashme kanë ndodhur rishtazi në Lituani, mund të tregojnë se ky ishte një provokim i maskuar si operacion kontrabandimi” – tha ky institucion.
Ambasadat e Bjellorusisë dhe Rusisë në Varshavë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të agjencisë “Reuters” për koment.
Balonat e kontrabandës nga Bjellorusia në mënyrë të përsëritur e kanë penguar trafikun ajror në Lituani, duke i detyruar autoritetet atje që të mbyllnin aeroporte.
Lituania thotë se këto balona lëshohen nga kontrabanduesit që transportojnë cigare dhe përbëjnë “sulm hibrid” nga Bjellorusia. Vendi fqinj e ka mohuar përgjegjësinë për balonat.
Ushtria polake tha se një pjesë e hapësirës ajrore mbi rajonin verlindor polak, Podlaskie, që kufizohet me Bjellorusinë, u mbyll përkohësisht për trafikun civil për ta garantuar sigurinë./Nacionale