Polonia nuk do të dërgojë ushtarë në Grenlandë, thotë kryeministri Tusk
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha të enjten se vendi i tij nuk do të dërgojë ushtarë në Grenlandë, duke shtuar se një sulm nga një vend i NATO-s ndaj territorit të një tjetri do të ishte “fundi i botës që e njohim ne”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se Grenlanda është jetike për sigurinë e vendit të tij dhe ShBA-ja duhet ta ketë ishullin në pronësi për ta parandaluar pushtimin e tij nga Rusia ose Kina. Ai ka thënë se të gjitha opsionet janë mbi tavolinë për ta siguruar kontrollin mbi Grenlandën, territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Personel ushtarak nga Franca e Gjermania u nisën të enjten drejt ishullit, përderisa Danimarka e aleatët e saj u përgatitën për ushtrine në përpjekje për ta bindur Trumpin për sigurinë e ishullit.
“Një përpjekje për të marrë nën kontroll [pjesë të] një shteti anëtar të NATO-s nga një anëtar tjetër i NATO-s do të ishte katastrofë politike” – tha Tusku në një konferencë për gazetarë.
“Do të ishte fundi i botës që e njohim ne, e cila garantonte një botë të mbështetur në solidaritetin e NATO-s, që i frenoi forcat e këqija të lidhura me terrorin komunist ose format e tjera të agresionit” – shtoi ai.
Më tej, kryeministri polak tha se do të bëjë gjithçka që mundet për t’u siguruar që Evropa të mbetet e bashkuar sa i përket çështjes së Grenlandës.