Polonia i bën një kërkesë Ukrainës për vrasjet nga ukrainasit e lidhur me nazistët, i quan gjenocid
Polonia dhe Ukraina nuk do të jenë kurrë plotësisht të pajtuara derisa të gjithë polakët e vrarë nga nacionalistët ukrainas gjatë Luftës së Dytë Botërore të jenë gjetur dhe të rivarrosen, tha të martën kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, me rastin e shënimit të përvjetorit të masakrave të Volhinisë.
Polonia është bërë njëra ndër aleatet më të palëkundura të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus vitin e kaluar, por lidhjet mes dy vendeve kanë qenë të tensionuara me gjenerata për shkak të vrasjeve në Volhynia në periudhën 1943 – 1945, raporton agjencia “Reuters”.
“Ai krim ishte aq unik, saqë duhet të quhet me emrin e vet... ishte gjenocid”- tha kryeministri polak gjatë ceremonisë së përvjetorit në Varshavë.
“Nuk do të ketë pajtim përfundimtar polako-ukrainas pa gjetjen e të gjitha mbetjeve, pa u nderuar ato përfundimisht”- shtoi ai.
Polonia thotë se mbi 100 mijë polakë janë vrarë në masakrat e kryera nga nacionalistët ukrainas. Mijëra ukrainas kanë vdekur nga vrasjet hakmarrëse.
Zona ku kanë ndodhur masakrat, ku kishte banorë polakë dhe ukrainas, ishin pjesë e Polonisë para Luftës së Dytë Botërore para se të pushtoheshin nga Bashkimi Sovjetik.
Më 2013, Kuvendi i Polonisë e njohu këtë masakër të Ushtrisë Kryengritëse Ukrainase gjatë Luftës së Dytë Botërore si “spastrim etnik me shenja dalluese të gjenocidit”. Ushtria Kryengritwse Ukrainase i kishte aleatw nazistët.
Ukraina nuk e ka pranuar këtë vlerësim dhe shpesh u referohet këtyre ngjarjeve si pjesë e një konflikti mes Polonisë dhe Ukrainës që i ka prekur të dyja vendet.