Polonia dhe Bullgaria reagojnë pas ndaljes së gazit rus
Kompania shtetërore ruse, “Gazprom”, tha më herët se nga e mërkura do ta ndalë furnizimin për Poloninë dhe Bullgarinë. Pati menjëherë reagime nga këto dy vende.
Kompania polake e energjisë, PGNiG, ka konfirmuar se furnizimi me gaz rus për Poloninë është ndërprerë. Kjo kompani ka importuar më shumë se gjysmën e gazit nga kompania “Gazprom” në tre muajt e parë të vitit, por Varshava tha se do t’ia dalë pa gazin rus dhe se mund të gjejë burime në vende të tjera.
Operatori polak i energjisë tha se rezervat nëntokësore janë gati 80 për qind të mbushura dhe se, me ardhjen e verës, kërkesa për gaz do të jetë më e ulët.
Ndërkohë Bullgaria tha se e ka paguar gazin e blerë për muajin prill plotësisht dhe e akuzoi kompaninë ruse për shkelje të kontratës.
“Për momentin, gazi natyror po përdoret më shumë si armë politike dhe ekonomike në luftën e tanishme”, tha ministri bullgar i Energjisë, Alexander Nikolov.
Ai shtoi se Bullgaria është duke e ndjekur pozicionin e BE-së që shtetet të mos dorëzohen para kërkesës së Rusisë për ta paguar gazin në rubla.