Polonia bllokon disa marrëveshje të BE-së, s’miratohet ndihma miliardëshe për Ukrainën - NACIONALE

Polonia bllokon disa marrëveshje të BE-së, s’miratohet ndihma miliardëshe për Ukrainën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Polonia e shtyu të enjten në mbrëmje miratimin zyrtar të taksës minimale të korporatave nga BE-ja, duke bllokuar njëkohësisht një pako të tërë të marrëveshjeve të tjera, përfshirë ndihmat financiare për Ukrainën, thanë diplomatët.

Taksa minimale, bashkë me 18 miliardë euro për Ukrainën, që janë planifikuar për vitin e ardhshëm, miratimi i planit të Hungarisë për rimëkëmbje dhe pezullimi i disa fondeve të buxhetit të BE-së për Budapestin ishin pjesë e një marrëveshjeje komplekse të arritur nga qeveritë e shteteve të BE-së të hënën në mbrëmje.

Pakti pritej të nënshkruhej në atë që quhet “procedurë me shkrim” deri të mërkurën, por Polonia kërkoi dy herë shtyrje të afatit për këtë veprim. Afati i fundit tani është vendosur për në orën 24 të enjten, raporton agjencia “Reuters”, përcjell gazeta “Nacionale”.

“Është e tërë pakoja që është shtyrë për shkak të problemeve të Polonisë me taksën globale, që askush nuk i kupton. Nuk kemi ide se çfarë dëshiron ose çfarë do të bëjë [kryeministri polak] Morawiecki. Ai tashmë ishte pajtuar për taksën në pranverë”- tha një diplomat.

Diplomatët e BE-së pretenduan se Varshava po e mban peng miratimin e tërë pakos së marrëveshjeve për të marrë zotim të qartë nga shtetet e Bashkimit Evropian se Polonia do të marrë dhjetëra miliarda euro nga fondet e BE-së për rimëkëmbje, që tash janë të bllokuara për shkak të një mosmarrëveshjeje me Brukselin rreth sundimit të ligjit.

“Të hënën dëgjuam se atyre u nevojitet kohë për ta marrë ministrin e Drejtësisë. Nuk jam i sigurt se si këto shtyrje ndërthuren me atë që është duke ndodhur me të dhe me masat e paraqitura në parlament për pavarësinë e sistemit gjyqësor”- tha një zyrtar.

Pritet që kjo çështje të ngrihet në një samit të udhëheqësve të BE-së në Bruksel të enjten.

Për taksën minimale prej 15 për qind ndaj korporatave është arritur marrëveshje nga 140 shtete Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik më 2021 për t’ua parandaluar kompanive të mëdha ndërkombëtare ndërrimin e fitimeve përreth planetit për t’i zvogëluar taksat e veta dhe kështu t’ua shkatërrojnë shteteve bazat e taksave.

Taksa minimale pritet të zbatohet ndaj kompanive me qarkullim vjetor prej të paktën 750 milionë eurosh dhe secili shtet i BE-së do të duhet ta miratojë atë dhe ta bëjë ligj deri në fundin e vitit 2023. Kompanitë e mëdha duhet ta paguajnë këtë shkallë të taksës minimale nga fillimi i vitit 2024.

Lajme të ngjashme