Policia spanjolle arreston një nga 10 personat më të kërkuar të FBI-së
Policia spanjolle ka arrestuar një nga 10 të arratisurit më të kërkuar të FBI-së, i cili është kapur duke qëndruar në Madrid me një identitet të rremë.
Michael James Pratt, një shtetas i Zelandës së Re, ishte dënuar me burgim të përjetshëm në ShBA, nën akuzat për shfrytëzim seksual, sulm seksual dhe për prodhimin e imazheve të abuzimit seksual të fëmijëve.
Policia ka bërë të ditur se ai ishte i përfshirë në prodhimin audiovizual të regjistrimeve, duke rekrutuar vajza të mitura dhe vajza të reja përmes mashtrimit midis viteve 2012 dhe 2019.
Sipas policisë, i arratisuri kishte vendosur reklama në internet në ShBA dhe Kanada duke ofruar punë "modelimi", të cilat rezultuan se ishin regjistrime pornografike. Ai kishte paguar gra të tjera për të vepruar si "karrem" dhe për t'i bindur viktimat se materiali i regjistruar nuk do të publikohej në internet.
Më tej, policia ka thënë se ndonjëherë, ai i kishte mbajtur viktimat kundër vullnetit të tyre, duke i detyruar të kryenin praktika seksuale dhe se nga këto aktivitete, ai kishte fituar më shumë se 17 milionë dollarë.
Autoritetet spanjolle, kanë thënë se deri më tani vetëm 57 kriminelë në listën e më të kërkuarve të FBI-së ishin kapur jashtë juridiksionit të byrosë, duke shtuar se kjo ishte hera e parë që po ndodhte në Spanjë.
