Po shtohen rastet e kancerit në mushkëri te personat që kurrë s’kanë pirë duhan
Përqindja e njerëzve që po diagnostikohen me kancer të mushkërive dhe të cilët nuk kanë pirë duhan kurrë është duke u rritur, ndërsa ndotja e ajrit është “faktor i rëndësishëm”, sipas agjencisë së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për kancerin.
Kanceri në mushkëri te njerëzit që nuk kanë pirë kurrë cigare ose duhan tani vlerësohet se është shkaktari i pestë më i madh i vdekjeve nga kanceri në mbarë botën, sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Hulumtime rreth Kancerit (IARC), raporton gazeta “The Guardian”.
Kanceri i mushkërive te personat që nuk kanë pirë kurrë duhan po shfaqet në mënyrë pothuajse ekskluzive në formën adenocarcinoma, e cila është bërë më mbizotëruesja nga katër nënllojet kryesore të këtij kanceri te burrat dhe te gratë në nivel global, tha IARC-ja.
Rreth 200 mijë raste të kancerit adenocarcinoma ishin të lidhura me shpërfaqjen ndaj ndotjes së ajrit më 2022, sipas një hulumtimi të IARC-së të publikuar në revistën mjekësore “Lancet Respiratory Medicine”.
Pjesa më e madhe e rasteve me adenocarcinoma që iu atribuua ndotjes së ajrit ishin në pjesën lindore të Azisë, veçanërisht në Kinë, sipas rezultateve të hulumtimit.
Autori udhëheqës i studimit dhe drejtori i departamentit për vëzhgimin e kancerit në IARC, Dr. Freddie Bray, tha se këto rezultate e theksojnë nevojën për vëzhgim urgjent të rrezikut në ndryshim nga kanceri në mushkëri.
Ai shtoi se nevojiten studime të mëtejme për t’i identifikuar faktorët e mundshëm shkaktarë, si ndotja e ajriit, në popullsi ku pirja e duhanit nuk është konsideruar si shkaktari kryesor i kancerit në mushkëri./Nacionale