Pishmania Meloni e Italisë: Premtonte shtypje të emigrimit - ua hapi dyert punëtorëve të huaj
Madou Koulibaly është fytyra e re e një Italie të vjetër.
I riu 24-vjeçar, i cili kishte arritur në këtë shtet nga Guinea më 2018, po hap një rrugë si vozitësi i parë imigrant i autobusit në Tuskanë, i rekrutuar si pjesë e një plani për ta plotëstuar boshllëkun e vendeve të punës me punëtorë të huaj. Ai ishte më i befasuar se kushdo tjetër, raporton agjencia “Reuters”.
“Thashë: autobus? Jo, nuk mund të vozis autobus. Kurrë nuk kam parë afrikan duke vozitur autobus në Itali, sidomos një afrikan që ka ardhur me barkë”- tha imigranti.
Koulibaly është duke e ndier frontin më mikpritës të planeve kontraste të imigrimit të kryeministres Giorgia Meloni.
Zonja Meloni, e cila erdhi në pushtet në tetor të vitit të kaluar me një agjentë të vendosur nacionaliste, është bërë pjesë e ballinave globale me zotimet e saj për t’i shtypur ardhjet e paautorizuara të njerëzve nga Afrika Veriore me ligje më të ashpra të imigrimit, kufizime ndaj organizatave për shpëtim në det dhe me plane për të ndërtuar kampe për pranimin e imigrantëve në Shqipëri.
Në të njëjtën kohë, megjithatë, ajo po ua hap derën qindra mijëra imigrantëve për të punuar në Itali në mënyrë të ligjshme në përpjekje për t’i plotësuar vendet e punës në shtetin e saj, i cili e ka njërën nga popullsitë më të moshuara e më së shpejti në tkurrje në botë.
Deri në vitin 2050, Italia pritet të ketë gati pesë milionë banorë më pak, ndërsa më shumë se një e treta do të jenë mbi moshën 65-vjeçare, sipas parashikimeve të zyrës kombëtare të statistikave, Istat. “Gjaku i ri” nevojitet fort në një varg industrish, nga ndërtimtaria e turizmi, te bujqësia.
Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, i cili nënshkroi një marrëveshje 3-vjeçare me Tunizinë në tetor për thjeshtimin e procedurave për viza dhe leje banimi për deri në katër mijë tunizianë në vit, thotë se qeveria italiane nuk është kundër imigrimit në vete.
“Ne duam të zgjedhim se kush hyn në Itali e Evropë dhe të mos ua lëmë zgjedhjen trafikuesve”- tha ai para deputetëve italianë më 21 nëntor.
Giuliano Cazzola, ekspert i tregut të punës dhe ish-ligjvënës konservator, tha se realitetet ekonomike e demografike po e zbusin qëndrimin e qeverisë kundër imigrantëve.
“Jam absolutisht i bindur se imigrimi është mjeti më i lehtë për ta ripopulluar Italinë. Një foshnjë që lindet sot do të hyjë në tregun e punës pas 20 vjetëve, ndërsa dikush që arrin këtu është 20 vjeç dhe mund të futet në punë menjëherë”- shtoi ai.
Italia nuk është vetëm në luftë me krizat e popullsisë dhe mungesën e punëtorëve. Vende nga Britania deri në Kanada e Japoni po ballafaqohen me probleme të ngjashme, edhe pse situata në shtetin e Evropës Jugore është më akutja.
Pavarësisht nga zotimet për t’i frenuar ardhjet e imigrantëve të paautorizuar, Qeveria Meloni ka pasur pak sukses.
Ardhjet përmes detit nga Afrika Veriore kanë shkuar në gati 153 mijë deri më tani këtë vit nga gati 96 mijë në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar dhe nga 63 mijë në periudhën e njëjtë të vitit 2021. Sipas të dhënave qeveritare, shifra e këtij viti madje është afër rekordit historik prej rreth 181 mijë e 400 të ardhurve më 2016.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli
