Pezullohen ndihmat për në Gaza, OKB-ja paralajmëron për rrezikun e vdekjes nga uria - NACIONALE

Pezullohen ndihmat për në Gaza, OKB-ja paralajmëron për rrezikun e vdekjes nga uria

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dërgesat e OKB-së me ndihma për në Gaza u pezulluan përsëri të premten për shkak të mungesës së karburantit dhe ndërprerjes së rrjetit të komunikimi, duke e thelluar mizorinë e mijëra palestinezëve të uritur e të pastrehë, përderisa Izraeli po e vazhdon luftën kundër militantëve të Hamasit në këtë enklavë.

Programi Botëror i Ushqimit, organizatë që është pjesë e OKB-së, tha se civilët ballafaqohen me “mundësinë e afërt të vdekjes nga uria” për shkak të mungesës së furnizimeve ushqimore, raporton agjencia “Reuters”.

Kombet e Bashkuara thanë se të premten nuk do të ketë dërgim të ndihmave matanë kufirit për shkak të mungesës së karburantit dhe ndërprerjes së rrjetit të komunikimit. Për ditën e dytë rresht të enjten, asnjë kamion me ndihma nuk hyri në Gaza për shkak të mungesës së karburantit për t’i shpërndarë dërgesat.

Një burim i sigurisë në Egjipt tha se tre kamionë me karburante ishin gati për të hyrë nga Egjipit në Gaza të premten, por një zyrtar i ndihmave brenda enklavës tha se nuk ka konfirmim që do të sillet më shumë karburant.

Sipas drejtoreshës ekzekutive të Programit Botëror të Ushqimit, Cindy McCain, pothuajse e tërë popullsia e Gazës ka nevojë të skajshme për asistencë ushqimore.

“Me afrimin e shpejtë të dimrit, strehimoret e pasigurta e të mbingarkuara dhe mungesën e ujit të pastër, civilët janë duke u ballafaquar me mundësinë e menjëhershme të vdekjes nga uria”- tha ajo në njëdeklaratë.

Agjencia palestineze e lajmeve, WAFA, tha se disa palestinezë u vranë e të tjerë u lënduan nga një sulm izraelit që goditi një grup të personave të zhvendosur afër pikëkalimit në Rafah, mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit, që shërben edhe për futjen e ndihmave.

Televizioni “Al Jazeera” citoi burime të kenë thënë se nëntë persona janë vrarë nga ky sulm.

Nuk pati koment të menjëhershëm nga Izraeli për këtë sulm të raportuar dhe agjencia “Reuters” nuk mundi ta vërtetonte atë.

Zyra për Bashkërendimin e Çështjeve Humanitare e OKB-së, duke i cituar të dhënat palestineze, tha se nga sulmet izraelite janë shkatërruar ose dëmtuar të paktën 45 për qind e njësive të banimit në Gaza.

Lajme të ngjashme