Përplasje e rrallë mes ShBA-së e Koresë Veriore në Këshillin e Sigurimit për satelitin spiun
Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe Koresë Veriore në Kombet e Bashkuara u përplasën verbalisht të hënën në Këshillin e Sigurimit për lëshimin e satelitit të parë spiun nga Penjani dhe për arsyet e rritjes së tensioneve në rajon. Kjo ishte një ndeshje e rrallë publike mes dy shteteve me raporte armiqësore.
Pas një mungese gati 6-vjeçare, Koreja Veriore në korrik përsëri nisi që ta dërgonte ambasadorin e saj në takimet e Këshillit të Sigurimit për programet e saj bërthamore e të raketave balistike. Organi me 15 shtete anëtare u mblodh të hënën për lëshimin e satelitit spiun nga Koreja Veriore më 21 nëntor, raporton agjencia “Reuters”.
Në fund të takimit, ambasadorja e ShBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, dhe ambasadori i Koresë Veriore, Kim Song, mbajtën fjalime të paplanifikuara, duke u përfshirë në kundërpërgjigje në tavolinën e organit të rëndësishëm ndërkombëtar. Secili diplomat pretendoi se vendet e tyre po vepronin në mënyrë mbrojtëse.
“Një palë ndërluftuese, Shtetet e Bashkuara, po na kërcënon me një armë bërthamore. Është e drejtë legjitime për RPDK-së [Republika Popullore Demokratike e Koresë – emri zyrtar i Koresë Veriore] – si palë tjetër ndërluftuese – që t’i zhvillojë, testojë, prodhojë e posedojë sistemet e armëve që janë të barasvlershme me ato që Shtetet e Bashkuara tashmë i posedojnë dhe, ose [janë] duke i zhvilluar tash për tash”- tha ambasadori i Koresë Veriore.
Ky shtet ka qenë nën sanksione të OKB-së për programet bërthamore e raketore që nga viti 2006. Këtu përfshihet edhe ndalimi i raketave balistike. Një teknologji e tillë u përdor javën e kaluar për lëshimin e satelitit të parë spiun nga vendi i largët aziatik. Shtetet e Bashkuara për një kohë të gjatë kanë paralajmëruar se Penjani ishte i gatshëm për ta kryer testin e shtatë bërthamor.
Në anën tjetër, ambasadorja amerikan tha: “Ne e refuzojmë fuqishëm pretendimin e pasinqertë të RPDK-së se hedhjet e saj të raketave janë thjesht mbrojtëse për nga natyra, në kundërpërgjigje ndaj ushtrimeve tona ushtarake dypalëshe e trepalëshe. Edhe një herë, do ta doja që ta shpreh sinqerisht ofertën tonë për dialog pa parakuishte, RPDK-ja vetëm duhet të pranojë.”
Bisedimet për denuklearizim mes Koresë Veriore, Koresë Jugore, Kinës, Shteteve të Bashkuara, Rusisë e Japonisë ngecën në vitin 2009. Edhe bisedimet mes udhëheqësit të Koresë Veriore, Kim Jong-un, dhe presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump, më 2018 e 2019, gjithashtu dështuan.
“Nëse është diçka që Shtetet e Bashkuara dëshirojnë t’i ofrojnë RPDK-së, ajo është asistenca humanitare për të rinjtë e jo armët për ta shkatërruar popullin tuaj”- shtoi ambasadorja amerikane.
Gjatë viteve të fundit, Këshilli i Sigurimit ka qenë i ndarë për mënyrën se si të trajtohet Koreja Veriore. Rusia dhe Kina, që e kanë të drejtën e vetos, kanë thënë se sanksionet shtesë ndaj këtij vendi nuk do të ndihmojë dhe se duan që këto masa të lehtësohen.
