Përmbytje të mëdha në Sidnei, kërkohet evakuimi i dhjetëra mijëra njerëzve - NACIONALE

Përmbytje të mëdha në Sidnei, kërkohet evakuimi i dhjetëra mijëra njerëzve

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Në mes të një shiu të rrëmbyeshëm dhe përmbytjeve të mëdha në qytetin më të madh të Australisë, Sidnei, një person ka humbur jetën ndërsa dhjetëra mijëra të tjerve u është kërkuar të evakuohen.

BBC raporton se rrugët në qytet janë të bllokuara, ndërsa është bërë e ditur se situata shihet si emergjente.

Ministrja e shërbimeve të urgjencës Stephanie Cooke, ka thënë se “situata është emergjente dhe kërcënuese për jetën”.

Kujtojmë se kjo zonë ishte përmbytur edhe në muajin mars, ku humbën jetën 20 persona.

Cooke paralajmëroi se vendi është duke u përballuar me rreziqe të shumta si “përmbytje të shpejta, përmbytje të lumenjve dhe erozion bregdetar”.

Ndërkohë, nga Byroja e Meteorologjisë, është njoftuar se në zona të caktuar ka pasur shi deri në 350mm, duke rrezikuar përmbytje edhe përgjatë lumit Nepean.

Lidhur me gjendjen, ekspertët thonë se përmbytjet janë përkeqësuar si shkak i ndryshimeve klimatike dhe një fenomon moti i njohur si La Nina. Ky fenomon zhvillohet kur erërat e forta fryjnë ujërat e ngrohta sipërfaqësore të Paqësorit larg nga Amerika e Jugut drejt Indonezisë.

Ndërsa, në Australi, fenomeni La Nina rrit gjasat e shiut, cikloneve dhe temperaturave më të ftohta gjatë ditës.

Lajme të ngjashme