Përleshje të reja mes policisë e protestuesve në Peru, të paktën 17 të vdekur
Së paku 17 persona kanë vdekur gjatë përleshjeve të reja mes përkrahësve të ish-presidentit Pedro Castillo dhe forcave të sigurisë në pjesën juglindore të Perusë, thanë zyrtarët e këtij shteti.
Dhjetëra të tjerë u lënduan të hënën në qytetin Juliaca në disa prej përleshjeve më të rënda që nga arrestimi i ish-presidentit Castillo muajin e kaluar, pasi ishte përpjekur për ta shpërndarë Kongresin.
Përkrahësit e tij kanë protestuar dhe i kanë bllokuar rrugët me javë të tëra. Ata thonë se presidentja e re, Dina Boluarte, duhet të largohet nga pushteti dhe po kërkojnë zgjedhje të parakohshme.
Kryeministri Alberto Otarola i dënoi përleshjet në Juliaca, duke i përshkruar ato si sulm të organizuar ndaj policisë. Ai tha se mijëra njerëz janë munduar që t’ua mësyjnë aeroportit të qytetit dhe stacionit lokal të policisë.
Ndërkohë një protestues i tha agjencisë AFP: “Policia po qëllon drejt nesh. Kërkojmë nga Dina që të japë dorëheqje. Pranoje faktin që njerëzit nuk të dëshirojnë ty.”
Qyteti Juliaca shtrihet në rajonin Puno, i cili ka qenë qendër e protestave kundër qeverisë. Peruja është ballafaquar me trazira të gjata politike vjetëve të fundit. Kriza e re shpërtheu, kur Castillo njoftoi se do ta shpërndante Kongresin dhe do ta shpallte gjendjen e jashtëzakonshme në dhjetor.
Megjithatë, Kongresi e rrëzoi Castillon me shumicë të votave. Ai është duke u mbajtur në ndalim policor dhe po hetohet për akuzat për rebelim dhe konspiracion. Castillo i ka mohuar të gjitha akuzat, duke këmbëngulur se ende është president legjitim i vendit.
