Përgatitjet për takimin Trump – Putin, “në fazë të avancuar” - NACIONALE

Përgatitjet për takimin Trump – Putin, “në fazë të avancuar”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përgatitjet për një takim mes presidentëve Donald Trump të ShBA-së dhe Vladimir Putin të Rusisë janë në një “fazë të avancuar”, citohet të ketë thënë të enjten një ligjvënës i lartë rus.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA, e citoi Leonid Slutsky-n, kryetar i komisionit për çështje ndërkombëtare në Dumën Shtetërore të Rusisë, të ketë thënë se takimi mes dy presidentëve mund të zhvillohet në shkurt ose në mars, përcjell agjencia e lajmeve “Reuters”.

Edhe Trumpi, edhe Putini kanë thënë se janë të interesuar për të mbajtur një takim, në agjendën e të cilit do të përfshiheshin kontrolli i armëve bërthamore dhe çmimet globale të energjisë, si dhe synimi i deklaruar i Trumpit për t’i dhënë fund shpejt luftës në Ukrainë.

Slutsky tha se ai pret gjithashtu që presidentët të bisedojnë për situatën në Lindjen e Mesme.

“Puna kërkon përgatitje serioze, e cila – unë nuk do të jap ndonjë sekret – tani për tani është në një fazë të avancuar” – tha ai.

Slutsky refuzoi të spekulonte për atë se kur saktësisht do të mund të ndodhte takimi mes dy presidentëve.

“Shkurt ose mars – le të mos hamendësojmë dhe le t’ua japim udhëheqësve mundësinë për t’u përgatitur për të në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse, por do të jetë së shpejti” – citohet të ketë thënë ai./Nacionale

Lajme të ngjashme