Putini emëron komandant të ri të luftës, përgatitje për “betejë të ashpër” në lindje - dita 46 e pushtimit
Në ditën e 46-të të luftës Rusi-Ukrainë përveç bombardimeve që kanë vazhduar në tri qytete të Ukrainës, si zhvillim kryesor ka qenë edhe emërimi i një komandanti të ri rus nga ana presidentit Putin për të drejtuar luftën në Ukrainë, hap i cili ka sjellë reagime të shumta edhe nga ana e ndërkombëtarëve.
Në vazhdim përmbledhura nga Gazeta Nacionale, mund të njiheni me zhvillimet kyçe të ditës nga ky konflikt.
Papa Françesku ka bërë thirrje për një armëpushim të Pashkëve në Ukrainë, duke çuar në negociata dhe paqe.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se Ukraina po përgatitet për një "betejë të vështirë" në lindje të vendit, ku po mblidhen trupat ruse.
Nga Kievi është njoftuar për identifikimin e 500 kriminelëve të luftës dhe 5600 raste të krimeve të luftës në Ukrainë që nga shpërthimi i konfliktit me Rusinë në shkurt.
Ministria e Mbrojtjes ka thënë se Moska po kërkon të "shtojë numrin e trupave" me personelin e shkarkuar nga shërbimi ushtarak që nga viti 2012.
Banka Botërore ka njoftuar se ekonomia e Ukrainës do të tkurret me 45.1% këtë vit si rezultat i pushtimit rus. Në një vlerësim të ndikimit të pushtimit, të lëshuar të dielën organizata shpjegoi se bizneset në vend janë mbyllur, eksportet janë ulur dhe shumica e kapaciteteve prodhuese të vendit janë shkatërruar.
Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se ka kryer sulme në 86 njësi ushtarake në Ukrainë të shtunën mbrëma. Në deklaratën e lëshuar thuhet se sulmet ndodhën në qytetin qendror-lindor të Dnipros, në qytetin jugor të Ukrainës, Mykolaiv, dhe në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv.
Guvernatori i rajonit të Donetskut ka njoftuar se numri i të vdekurve nga sulmi me raketa në stacionin e trenit Kramatorsk është rritur në 57.
Rusia ka emëruar komandant të ri të luftës në Ukrainë, gjeneralin Alexander Dvornikov, 60 vjeçar. Sipas zyrtarëve amerikanë, ai është një nga oficerët ushtarakë më me përvojë të Rusisë - një gjeneral me një histori brutaliteti ndaj civilëve në Siri dhe në luftra të tjera.
Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, tha se ShBA pret që gjenerali i ri i lartë rus që do të drejtojë luftën në Ukrainë, të kryejë sulme të mëtejshme brutale ndaj civilëve.
Kancelari austriak Karl Nehammer do të udhëtojë nesër në Rusi për të takuar Presidentin Vladimir Putin, ka thënë një zëdhënës i qeverisë austriake.
Rreth 600 protestues pro-rusë në një autokolonë me 350 makina protestuan të dielën në Hanover të Gjermanisë. Policia lokale po ashtu njoftoi edhe për një kundër-protestë të rreth 700 njerëzve që mbështesin Ukrainën të zhvilluar po në qendër të qytetit.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët ka njoftuar se më shumë se 4.5 milionë refugjatë ukrainas janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.
Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, ka thënë se që nga tërheqja e forcave ruse në rajonin e Kievit, janë gjetur 1222 trupa.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba tha të dielën se moslejimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO në vitin 2008, ishte një gabim strategjik i Gjermanisë dhe Francës.