Përfundojnë stërvitjet e përbashkëta të forcave ajrore Rusi-Bjellorusi
Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë ka njoftuar se stërvitjet e përbashkëta të forcave ajrore të të dy vendeve, kanë përfunduar.
"Stërvitja e përbashkët taktike e fluturimit kishte për qëllim krijimin e sigurisë së Shtetit të Bashkimit dhe ishte ekskluzivisht mbrojtës në natyrë," – ka njoftuar ministria bjelloruse në kanalin zyrtar në Telegram.
Stërvitjet e aviacionit mes dy vendeve janë mbajtur në Bjellorusi dhe kanë nisur më 16 janar deri më 1 shkurt.
Ministria po ashtu ka njoftuar për fillimin e një jave me stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë për komandën e kombinuar të grupimit të tyre rajonal të forcave.
Ministria ka shtuar se është në përgatitje për stërvitjet e përbashkëta Union Shield 2023, që të dyja vendet do të mbajnë në Rusi në muajin shtator.
Pse kanë rëndësi këto stërvitje?
Rusia ka përdorur territorin e Bjellorusisë si një nga pikat e saj hyrëse për pushtimin e Ukrainës në vitin 2022.
Stërvitjet e përbashkëta ushtarake gjatë vitit të kaluar midis Bjellorusisë dhe Rusisë kanë kontribuar në shqetësimet se trupat bjelloruse mund të bashkohen me forcat ruse në Ukrainë, megjithatë, presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka hedhur poshtë vazhdimisht spekulimet se trupat e tij do t'i bashkohen luftimeve në Ukrainë.
Kujtojmë se, edhe në muajin dhjetor, Ukraina ka paralajmëruar se "nuk përjashton" një "provokim të qëllimshëm" nga Rusia pasi Bjellorusia tha se rrënojat e një rakete ukrainase kanë rënë në territorin e saj.

