Zelensky thotë se Ukraina duhet të jetë gati në kufirin me Bjellorusinë
Ukraina duhet të jetë gati në kufirin e saj me aleaten e Rusisë, Bjellorusinë, edhe pse sheh vetëm “deklarata të fuqishme” që po vijnë nga fqinja e vet, tha të mërkurën presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ai e bëri këtë koment pas vizitës në rajonin perëndimor ukrainas, Lviv, ku diskutoi për mbrojtjen e kufirit dhe për situatën e sigurisë në pjesën veriperëndimore të Ukrainës, raporton agjencia “Reuters”.
Kievi ka paralajmëruar se Rusia mund të përpiqet që ta shfrytëzojë Bjellorusinë për të nisur një pushtim të ri tokësor të Ukrainës nga veriu. Zelensky nuk përmendi paralajmërime të tilla në komentet e tij në rrjete sociale, pasi mori pjesë në atë që e përshkroi si takim të bashkërenduar për çështje të sigurisë në rajonin Lviv.
“Diskutuam për mbrojtjen e kufirit shtetëror, situatën operacionale në kufirin me Republikën e Bjellorusisë dhe për masat kundërshkatërruese në këto territore”- tha ai.
“Ne kuptojmë që përpos deklaratave të fuqishme, nuk shohim asgjë të fuqishme atje, por, sidoqoftë, duhet të jemi gati edhe në kufi, edhe në rajone”- shtoi presidenti ukrainas.
Zyra e Zelenskyt publikoi pamje ku ai shihej në takimin bashkërendues me zyrtarë ushtarakë dhe u tha se presidenti ka marrë pjesë edhe në një ceremoni për nderimin e ushtarëve ukrainas të vrarë në luftën që filloi vitin e kaluar.
