“Performancë alarmante”: Demokrati i lartë, Adam Smith, e kërkon tërheqjen e Bidenit
Pozicioni i presidentit amerikan, Joe Biden, në mesin e kongresistëve demokratë u dobësua më tutje të hënën, kur një anëtar me ndikim në një komision të Dhomës së Përfaqësuesve iu bashkua thirrjeve që veterani i Shtëpisë së Bardhë t’i japë fund fushatës presidenciale pas paraqitjes së dobët në debatin e parë presidencial muajin e kaluar.
Adam Smith, anëtar i lartë demokrat në Komisionin për Shërbime të Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve, e bëri këtë thirrje vetëm disa orë pasi presidenti në mënyrë të prerë i refuzoi thirrjet që të tërhiqej në një letër dërguar kongresistëve të partisë, raporton gazeta “The Guardian”.
Megjithatë, në një shenjë të qartë që një porosi e tillë mund të ketë rënë në veshë të shurdhër, Smithi sugjeroi se është e qartë nga sondazhet se bindja e votuesve është që Bideni është shumë i moshuar për të qenë kandidat efikas e pastaj president për katër vitet e ardhshme.
“Performanca e presidentit në debat ishte alarmante për t’u shikuar dhe populli amerikan ka bërë të qartë se nuk e sheh më atë si kandidat të besueshëm për të shërbyer edhe për katër vjet si president. Që nga debati, presidenti nuk i ka adresuar seriozisht këto shqetësime” – tha kongresisti nga shteti i Uashingtonit në një deklaratë.
Sipas tij, presidenti duhet të tërhiqet “sa më shpejt që është e mundshme”, por shtoi se do ta përkrahte Bidenin “në mënyrë të parezervë”, nëse kreu i Shtëpisë së Bardhë këmbëngul për të mbetur i nominuar i Partisë Demokratike në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
“Personalisht, mendoj se [nënpresidentja] Kamala Harris do të ishte kandidate shumë më e mirë dhe më e fortë”, tha më tej kongresisti demokrat, duke shtuar se Bideni “nuk është personi më i mirë për ta përçuar porosinë demokrate”.
Ai tërthorazi i kritikoi kolegët demokratë – dhe stafin e fushatës së Bidenit – që po bëjnë thirrje që Partia Demokratike ta lë prapa vetes debatin e Bidenit me Trumpin si “një natë të keqe”.
“Shumë demokratë po thonë: Mirë, le të vazhdojmë përpara, le të ndalemi së foluri për të [debatin]”. Ne nuk jemi ata që po e ngremë këtë. Vendi po e ngre dhe strategjia e fushatës “qëndroni të heshtur dhe bini në vijë dhe ta shpërfillim këtë” thjesht nuk po funksionon” – u shpreh demokrati Smith.
Ai iu bashkua grupit prej pesë kongresistëve demokratë që publikisht e kërkuan tërheqjen e Bidenit nga gara javën e kaluar. Përfshirja e një anëtari të lartë të Komisionit për Shërbime të Armatosura në grupin e zërave që po bëjnë thirrje për tërheqjen e tij mund të jetë veçanërisht e dëmshme për kauzën e Bidenit në javën kur ai do të jetë nikoqir i samitit të udhëheqësve të NATO-s në Uashington.
Udhëheqësit e vendeve të aleancës do të mblidhen të martën në kryeqytetin amerikan në një ngjarje që pritet ta theksojë vëmendjen ndërkombëtare mbi Bidenin, i cili do të mbajë një konferencë të rrallë për gazetarë në ditën e fundit të samitit, të enjten, rast që pritet të shfrytëzohet për të vërejtur ndonjë gabim të mundshëm në fjalët e presidentit./Nacionale