Perëndimi importon me të madhe një lëndë të rrallë nga Rusia, i jep qindra miliona dollarë
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë janë duke importuar sasi të madhe të karburantit bërthamor dhe përbërësve bërthamorë nga Rusia, duke i ofruar Moskës qindra miliona dollarë, të hyra shumë të nevojshme gjatë zhvillimit të luftës së saj në Ukrainë.
Këto shitje, që janë të ligjshme dhe të pasanksionuara, kanë shkaktuar alarm tek ekspertët kundër pasurimit bërthamor dhe te zyrtarë të zgjedhur, të cilët thonë se importimi i kësaj lënde po e ndihmon mbështetjen financiare të zhvillimit të arsenalit bërthamor të Rusisë dhe po i ndërlikon përpjekjet për t’i kufizuar aftësitë e Rusisë për zhvillimin e luftës, raporton agjencia “Associated Press”.
Varësia nga prodhimet bërthamore ruse – që përdoren kryesisht për furnizimin e reaktorëve civilë – i lë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të hapur ndaj mundësisë për mungesë të energjisë, nëse presidenti rus, Vladimir Putin, do ta ndërpriste furnizimin. Kjo sfidë ka gjasë që do të bëhet edhe më e madhe, përderisa këto vende synojnë që ta shtojnë prodhimin e rrymës pa lirim të gazrave për t’i luftuar ndryshimet klimatike.
“Na duhet që t’u japim para njerëzve që prodhojnë armë? Kjo është absurde”- tha Henry Sokolski, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsim rreth Politikave Kundër Pasurimit Bërthamor me seli në Uashington. “Nëse nuk ekziston një rregull e qartë që ua parandalon ofruesve të energjisë bërthamore importimin e karburantit nga Rusia – dhe është më lirë që ai të merret nga atje – pse nuk do ta bënin këtë”- shtoi ai.
Rusia shiti prodhime bërthamore me vlerë të rreth 1,7 miliard dollarëve te firmat në ShBA dhe Evropë, sipas të dhënave tregtare dhe ekspertëve. Kjo shitje ndodhi gjatë kohës së sanksioneve të ashpra perëndimore ndaj Moskës për luftën në Ukrainë, me ç’rast janë bllokuar importet si nafta, gazi e Vodka.
Perëndimi ka ngurruar që t’i vërë nën sanksione eksportet bërthamore të Rusisë, sepse ato luajnë rol kyç për funksionimin e reaktorëve. Rusia e ka furnizuar industrinë bërthamore të ShBA-së me rreth 12 për qind të uraniumit vitin e kaluar, sipas Administratës për Informata të Energjisë të ShBA-së. Evropa ka raportuar se ka marrë rreth 17 për qind të uraniumit nga Rusia më 2022.
