Ekspertët thonë se Rusia do t’i afrohet rekordit të eksportimit të grurit në dhjetor - NACIONALE

Ekspertët thonë se Rusia do t’i afrohet rekordit të eksportimit të grurit në dhjetor

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Eksporti i grurit nga Rusia, që është shitësja më e madhe e këtij drithi në botë, do të jetë afër nivelit rekord në dhjetor, nëse pengesat e shkaktuara nga stuhitë në rrugën kryesore detare nëpër Detin e Zi janë të kufizuara, sipas analistëve dhe një shoqate të eksportuesve.

Sidoqoftë, gjatë tërë periudhës së shitjes, korrik 2022 – qershor 2023, ka mjaft gjasë që Rusia të eksportojë më pak se sasia që do t’ia mundësonin të mbjellat masive për shkak të ndërlikimeve të lidhura me sanksionet e Perëndimit, thanë disa analistë.

Edhe pse gruri nuk është në shënjestrën e sanksioneve perëndimore, zyrtarët rusë kanë thënë se masat ndëshkuese ndaj sektorit financiar për shkak të atij që Moska e quan “operacion special ushtarak” në Ukrainë, ua ka vështirësuar eksportuesve të grurit kryerjen e pagesave në banka dhe sigurimin e anijeve, financave tregtare dhe sigurimit.

Në pjesën e parë të periudhës së shitjes, sipas kompanisë këshillëdhënëse, “Sovecon”, eksporti i grurit do të jetë për 2 për qind më i lartë se për periudhën e njëjtë para një viti, shifër e fuqizuar pjesërisht nga të korrat rekorde të kësaj vere, shkruan "Reuters", përcjell Nacionale.

Sipas Unionit Rus të Eksportuesve të Grurit, sasia e përgjithshme e grurit të eksportuar, duke i përjashtuar dërgesat në Kazakistan, Armeni dhe Bjellorusi, pritet të arrijë në 26 milionë tonë për periudhën korrik – dhjetor, 10 për qind më shumë se para një viti.

Lajme të ngjashme