‘Përdorej nga zyrtarë të lartë’, zbulohet në Kinë tualeti më i vjetër në botë
Arkeologët në Kinë kanë gjetur mbetjet e një objekti që mund të jetë tualeti më i vjetër i njohur në botë.
Sipas mediave kineze, pjesë të thyera të tualetit 2,400-vjeçar, janë zbuluar verën e kaluar nga një ekip kërkimor midis rrënojave të pallatit të lashtë në zonën arkeologjike Yueyang në qytetin qendror të Xi'an.
Detajet e zbulimit janë publikuar javën e kaluar, duke ngjallur interes të gjerë në Kinë dhe duke ofruar një pasqyrë të rrallë në botën e privilegjuar dhe të avancuar konkurruese të elitës së lashtë qeverisëse të vendit.
I përshkruar nga studiuesit si një "objekt luksoz", tualeti mendohej se ishte vendosur brenda pallatit, me një tub që çonte në një gropë në natyrë.
Liu Rui, një studiues në Institutin e Arkeologjisë në Akademinë Kineze të Shkencave Sociale, i cili ishte pjesë e ekipit të gërmimeve, ka thënë për mediat shtetërore se me shumë mundësi ky tualet ishte i rezervuar për zyrtarë të rangut të lartë gjatë periudhës së Shteteve ndërluftuese.
"Tualeti me ujë është një provë konkrete e rëndësisë që kinezët e lashtë i kushtonin higjienës," – ka thënë Liu, duke shtuar se kishte shumë pak të dhëna për tualete të brendshme në kohët e lashta.
Ndërkohë tani, raportohet se qasja në tualete të pastra vazhdon të mbetet një problem në pjesë të Kinës moderne. Madje si pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar higjienën rurale, në fillim të mandatit të tij, udhëheqësi kinez Xi Jinping ka premtuar të "revolucionarizojë" tualetet e vendit.
"Çështja e tualetit nuk është gjë e vogël, është një aspekt i rëndësishëm i ndërtimit të qyteteve dhe fshatrave të qytetëruara," – ka thënë Xi në një artikull në të përditshmen shtetërore People's Daily në 2018.
Në një deklaratë të dhënë instituti që ka njoftuar për zbulimin, ka thënë se zbulimi i fundit është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të kuptuar dinastitë e lashta kineze, duke përfshirë mënyrën se si jetonin njerëzit dhe si janë ndërtuar qytetet e tyre.
Sipass China Daily, arkeologët tani janë duke analizuar mostrat e dheut të mbledhura nga tualeti me shpresën për të gjetur se si janë ushqyer njerëzit gjatë asaj kohe.
