Përçarje: Ukraina i quan të papranueshme kufizimet e disa shteteve evropiane ndaj drithit të saj - NACIONALE

Përçarje: Ukraina i quan të papranueshme kufizimet e disa shteteve evropiane ndaj drithit të saj

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Jashtme e Ukrainës ka thënë se u ka dërguar shkresa përfaqësuesve polakë dhe të BE-së në Kiev për kufizimin e importit të drithit ukrainas në disa shtete të Bashkimit Evropian, duke e quajtur situatën të papranueshme.

“Kufizime të tilla, për çfarëdo arsye qofshin, nuk përputhen me Marrëveshjen e Asocimit BE – Ukrainë dhe me parimet e normat e Tregut Unik të BE-së”- thuhet në një deklaratë të kësaj ministrie të shtunën, raporton televizioni CNN.

“Ka bazë ligjore për rifillimin e menjëhershëm të eksportimit të mallrave bujqësore ukrainase në Poloni, Rumani, Hungari, Sllovaki dhe Bullgari, si dhe për vazhdimin e papenguar të eksportit në shtetet e tjera të BE-së dhe, në përgjithësi, transitit të papenguar të të gjitha prodhimeve ukrainase në vendet e tjera brenda e jashtë BE-së”- thuhet më tej në deklaratë.

Ky reagim erdhi pas vendimeve të disa shteteve evropiane, përfshirë Poloninë dhe Hungarinë, për ndalimin e importimit të drithit dhe prodhimeve të tjera ushqimore nga Ukraina pas shtimit të prodhimeve të lira ukrainase në tregjet e këtyre vendeve. Komisioni Evropian i ka dënuar vendimet, duke thënë se për politikat tregtare nuk vendosin shtetet veç e veç.

Në deklaratën e së shtunës, Ministria e Jashtme e Ukrainës bëri thirrje që partnerët të gjejnë një zgjidhje të baraspeshuar.

“Kjo është mënyra e vetme për t’iu kundërvënë me sukses luftës së plotë agresive të Rusisë kundër Ukrainës dhe për ta fuqizuar Tregun Unik të BE-së, në të cilin Ukraina do të anëtarësohet”- thuhet në deklaratë.

Lajme të ngjashme