"Përçahet" Bashkimi Evropian, nuk arrin marrëveshje për sanksione të reja kundër Rusisë
Anëtarët e Bashkimit Evropian sot nuk arritën të bien dakord për një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, duke humbur afatin e planifikuar për t'i futur ato një vit pas pushtimit të Ukrainës nga Moska, tha një burim diplomatik për Reuters.
Të 27 vendet anëtare të BE-së duhet të bien dakord unanimisht për vendosjen e sanksioneve. Burimet pohojnë se Polonia po bllokon paketën për shkak të përjashtimeve të propozuara nga ndalimi i importeve të gomës sintetike ruse në BE.
Diplomatët polakë thuhet se thanë se përjashtimet ishin aq të mëdha sa sanksionet do të ishin joefektive
Sipas këtyre burimeve, diplomatët polakë thanë se përjashtimet ishin aq të mëdha sa sanksionet do të bëheshin joefektive. Burime të tjera raportojnë se këto përjashtime janë propozuar për shkak të Italisë, me mbështetjen e Gjermanisë.
Përfaqësuesit e anëtarëve takohen sërish të premten në mëngjes për të provuar të arrijnë një marrëveshje. Paketa e 10-të e sanksioneve që nga fillimi i pushtimit rus duhet ta bëjë më të vështirë për Rusinë financimin e luftës dhe t'i mohojë asaj pjesët që i nevojiten për të prodhuar armë.
Çfarë përfshin paketa e re e sanksioneve?
Paketa e re përfshin kufizime me vlerë rreth 10 miliardë euro dhe synon disa banka dhe propagandues rusë. Individët e lidhur me prodhimin e dronëve nga Irani, të cilat Rusia i përdor kundër Ukrainës, u futën gjithashtu në listën e zezë.
Sipas disa burimeve, Varshava pritet ende të japë pëlqimin nesër sepse paketa e re e sanksioneve, e cila simbolikisht do të shpallet në përvjetorin e fillimit të luftës, është më e rëndësishme se sa argumentet për përmbajtjen e saj. /Nacionale/