Për herë të parë, sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së s’merr pjesë në takimin për ndihmat ushtarake për Ukrainën
Për herë të parë që nga koha kur Shtetet e Bashkuara themeluan një grup ndërkombëtar për bashkërendimin e ndihmave ushtarake për Ukrainën para tre vjetëve, shefi i Pentagonit nuk do të marrë pjesë në takimin e grupit, kur më shumë se 50 udhëheqës të tjerë të mbrojtjes do të takohen të mërkurën.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili u kthye nga një konferencë për sigurinë kombëtare në Singapor të dielën, nuk do të arrijë në Bruksel deri të mërkurën në mbrëmje, pasi të ketë mbaruar takimi i Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti për të folur rreth hollësive të organizimit, konfirmoi se sekretari Hegseth nuk do të marrë pjesë në këtë takim as përmes video-lidhjes.
Ky veprim është më i riu në një varg hapash që Shtetet e Bashkuara i kanë ndërmarrë për ta distancuar veten nga përpjekjet e Ukrainës në luftë dhe vjen pak kohë pas paralajmërimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, në një konferencë të sigurisë fundjavën e kaluar se Shtetet e Bashkuara dhe disa vende tjera rrezikojnë që të zbatojnë standard të dyfishtë, nëse përqendrimi i tyre te një konflikt i mundshëm me Kinën bëhet me çmimin e braktisjes së Ukrainës.
Franca dhe vende të tjera të NATO-s po shqetësohen që Shtetet e bashkuara po e shqyrtojnë tërheqjen e trupave nga Evropa për t’i dërguar ato në rajonin e Indo-Paqësorit. Macroni tha se braktisja e Ukrainës në fund do ta dëmtonte kredibilitetin e Shteteve të bashkuara për parandalimin e ndonjë konflikti të mundshëm me Kinën për shkak të Tajvanit.
Paraardhësi i sekretarit Hegseth, Lloyd Austin, e kishte themeluar Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës pas fillimit të pushtimit të plotë rus më 2022. Nga ajo kohë, më shumë se 50 shtete anëtare të këtij grupi i kanë ofruar së bashku Ukrainës rreth 126 miliardë dollarë armë dhe asistencë tjetër ushtarake, përfshirë mbi 66,5 miliardë dollarë nga ShBA-ja.
Nën udhëheqjen e Austinit, Shtetet e Bashkuara e kanë mbajtur rolin e udhëheqëses së grupit dhe ai, bashkë me komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, kanë marrë pjesë në takimet mujore, edhe fizikisht, edhe përmes video-lidhjeve.
Hegseth-i e ka përmbysur këtë pozicion duke hequr dorë nga roli i udhëheqësisë, duke mos ofruar ndihma të reja ushtarake dhe tani edhe duke mos marrë pjesë fare në takim.
Gjatë takimit të tij të parë me grupin dhe në një tubim tjetër të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel në shkurt, Hegseth-i kishte paralajmëruar se Ukraina duhet të heqë dorë nga ambicia e saj për t’u anëtarësuar në aleancën më të fuqishme ushtarake dhe nga qëllimi për ta rikthyer tërë territorin e pushtuar nga Rusia.
Që nga rikthimi në pushtet në Shtëpinë e Bardhë i presidentit Donald Trump, Shtetet e Bashkuara nuk kanë njoftuar pako të re të ndihmave ushtarake për Ukrainën.
Edhe pse sekretari Hegseth nuk do të marrë pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, aty do të jetë Gjeneral Christopher Cavoli, komandant i Komandës Evropiane në ushtrinë amerikane dhe komandant suprem i NATO-s./Nacionale/Nasuf Abdyli