Pelosi premton solidaritet të ShBA-së me Tajvanin, Kina paralajmëron për ushtrime
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, është zotuar për solidaritetin “vendimtar” me Tajvanin, në një takim historik me presidenten e Tajvanit, Tsai Ing-wen, e cila u zotua se nuk do të zmbrapset përballë kërcënimeve ushtarake nga Kina.
Në një konferencë për gazetarë të mërkurën, Pelosi i vuri në pikëpyetje motivet e presidentit kinez, Xi Jinping, kur u pyet për reagimin e fuqishëm të tij ndaj vizitës së saj. Kina është zotuar se do të ketë “pasoja” për këtë vizitë dhe ka thënë se do të fillojë ushtrime ushtarake me municion të vërtetë afër Tajvanit të enjten.
“Është vërtet e rëndësishme që mesazhi të jetë i qartë... (ShBA-ja) është e përkushtuar ndaj sigurisë së Tajvanit... por ka të bëjë me vlerat tona të përbashkëta të demokracisë dhe lirisë dhe se si Tajvani ka qenë shembull për botën... Nëse ka pasigurisë të presidentit të Kinës në lidhje me gjendjen e tij politike, unë nuk e di”, tha Pelosi.
“Delegacioni ynë erdhi në Tajvan për të bërë të qartë pa mëdyshje se ne nuk do ta braktisim Tajvanin dhe ne jemi krenar me miqësinë tonë të qëndrueshme”, tha Pelosi, duke shtuar se solidariteti i ShBA-së me Tajvanin është vendimtar tash më shumë se kurrë.
Pelosi e çmoi demokracinë në Tajvan, vend që tashmë e ka presidenten e parë grua. Ajo gjithashtu tha se pushtimi rus i Ukrainës e ka bërë sigurinë në Ngushticën e Tajvanit fokus të vëmendjes botërore.
Kina ka reaguar me zemërim ndaj vizitës së zyrtares së lartë amerikane. Pas arritjes së saj në Tajvan, ushtria kineze njoftoi për ushtrime ajrore e detare ushtarake afër Tajvanit, duke filluar nga e marta në mbrëmje dhe duke përfshirë lëshim të raketave në det në lindje të Tajvanit.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit tha të mërkurën se ushtrimet kineze me municion të vërtetë përreth ishullit demokratik këtë javë e shfaqin qëllimin e Pekinit për t’i shkatërruar paqen dhe stabilitetin rajonal. Kjo ministri e akuzoi Kinën për shkeljen e ligjit ndërkombëtar me planet e saj për ta shkelur hapësirën sovrane të Tajvanit.
Në një konferencë të përbashkët për gazetarë me Pelosi-n, presidentja e Tajvanit tha se vendi i saj është i përkushtuar për ta mbajtur status quo-në. “Ushtrimet ushtarake janë të panevojshme. Tajvani ka qenë gjithmonë i hapur për dialog konstruktiv”, tha ajo.
Mediet shtetërore kineze raportuan se Pekini e thirri në takim ambasadorin amerikan në Kinë të martën për t’ia paraqitur kundërshtimin ndaj vizitës së Pelosi-t në Tajvan./Nacionale