Pelosi, Clooney e senatorë demokratë ngrenë dyshime të reja për Bidenin - NACIONALE

Pelosi, Clooney e senatorë demokratë ngrenë dyshime të reja për Bidenin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan, Joe Biden, u ballafaqua me dyshime të reja të mërkurën rreth gjasave të tij për t’i fituar zgjedhjet nga dy figura të rëndësishme, Nancy Pelosi e George Clooney, të cilët mund të kenë ndikim te ligjvënës të tjerë demokratë e donatorë financiarë, si dhe nga dy demokratë të Senatit.

Pelosi, ish-kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve dhe aleate e vjetër e Bidenit, tha se presidenti duhet të vendosë shpejt nëse do të qëndrojë në garë për Shtëpinë e Bardhë, ndërsa refuzoi të thoshte përfundimisht nëse ajo donte që veterani të ishte i nominuar i Partisë Demokratike, raporton agjencia “Reuters”.

Ylli i Hollivudit, Clooney, demokrat që kishte organizuar një tubim për grumbullimin e fondeve për Bidenin muajin e kaluar, e tërhoqi mbështetjen e tij për presidentin përmes një opinioni të publikuar në gazetën “The New York Times”, ku tha se Bideni nuk është njeriu i njëjtë që ishte më 2020.

Ndërkohë, udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, privatisht ka dhënë shenjë se është i hapur për një kandidat tjetër demokrat pos Bidenit, sipas uebfaqes amerikane të lajmeve, “Axios”. Megjithatë, Schumeri e ritheksoi përkrahjen për presidentin në një deklaratë pas publikimit të raportit të këtij mediumi.

Senatori Peter Welch i bëri thirrje Bidenit që të tërhiqej nga gara në një opinion të publikuar të mërkurën vonë. Ai është senatori i parë demokrat që haptazi bën thirrje për largimin e presidentit nga fushata e zgjedhjeve presidenciale.

Një donator i rëndësishëm tha se udhëheqësit demokratë kishin dhënë shenjë se do të lëshonin deklarata për shqetësim pas samitit të NATO-s, por nuk e përmendi me emër Schumerin.

“Do të jetë gjakderdhje” – tha burimi, duke e cituar zemërimin në rritje në mesin e ligjvënësve dhe donatorëve, si dhe presionin në rritje ndaj kandidatëve për pozita më të ulëta.

Fushata “Braktiseni Bidenin”, e cila e ka kundërshtuar kandidaturën e presidentit për shkak të mënyrës së trajtimit të luftës në Gaza, të mërkurën i bëri thirrje të gjithë amerikanëve që t’ia kërkonin tërheqjen Bidenit.

Lajme të ngjashme