Pas vizitës në Ukrainë, delegacioni afrikan i paqes arrin në Rusi
Udhëheqësit e gjashtë shteteve afrikane kanë arritur në Shën Petersburg të Rusisë si pjesë e një misioni të paqes, raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS.
Udhëheqësit e Afrikës Jugore, Zambisë, Komoreve, Kongos, Egjiptit, Senegalit dhe Ugandës pritet të takohen me presidentin rus, Vladimir Putin, raporton televizioni CNN.
Këta udhëheqës të premten u takuan në Ukrainë me presidentin e këtij shteti, Volodymyr Zelensky, si pjesë e përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për luftën në Ukrainë.
Pavarësisht përpjekjeve të tyre, Zelensky e mohoi mundësinë që vendi i tij të ulej në tavolinën e bisedimeve për paqe me Rusinë. Ai e bëri të ditur këtë qëndrim në një konferencë për gazetarë pas takimit me udhëheqësit e vendeve afrikane.
“Sot, unë thashë qartë dhe në mënyrë të përsëritur në takimin tonë se për të lejuar ndonjë bisedim me Rusinë, tani që pushtuesi është në tokën tonë, nënkupton që të ngrihet lufta, të ngrihen dhimbja dhe vuajtja”- tha ai para gazetarëve.
Pasi arritën në Kiev, udhëheqësit afrikanë u pritën me shpërthime dhe u detyruan që të strehoheshin në bunker, pasi kryeqyteti ukrainas u godit nga sulmet ajrore ruse.
