Pas vizitës në Kore të Veriut, Putini arrin në Vietnam
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka arritur në Vietnam për bisedime me udhëheqësit komunistë të këtij shteti në shtetin e dytë që po i shkon për vizitë në Azi, pasi një ditë më parë kishte nënshkruar një pakt të mbrojtjes me udhëheqësin e Koresë Veriore, Kim Jong Un.
Aeroplani i kreut të Kremlinit aterroi në aeroportin e Hanoit, ku u prit në tepih të kuq nga zëvendëskryeministri i Vietnamit, Tran Hong Ha, dhe diplomati i lartë partiak, Le Hoai Trung, raporton gazeta “The Guardian”.
Kjo vizitë ka nxitur kritika nga Shtetet e Bashkuara, që janë në mesin e partnereve kryesore tregtare të Vietnamit, duke paralajmëruar se ardhja e Putinit rrezikon që t’i normalizojë “shkeljet flagrante të së drejtës ndërkombëtare” nga Rusia.
Sipas një raportimi të agjencisë ruse të lajmeve, TASS, Putini pritet të diskutojë për bashkëpunimin në “fushat e ekonomisë, shkencës, teknologjisë dhe në fushën humanitare” si dhe të shkëmbejë pikëpamje rreth çështjeve kyçe të agjendës rajonale dhe ndërkombëtare.
Në një opinion të publikuar në gazetën e partisë komuniste të Vietnamit, “Nhan Dan”, Putini e përmendi përparimin rreth pagesave, energjisë dhe tregtisë mes dy vendeve. Ai gjithashtu e lavdëroi Vietnamin për mbështetjen e “një mënyre pragmatike për zgjidhjen e krizës” në Ukrainë.
Udhëheqësit e Vietnamit e favorizojnë të ashtuquajturën “diplomaci bambu” – që zhvillohet “nga të fryen era” dhe e shmang marrjen e anëve në mosmarrëveshje ndërkombëtare – përfshirë raportet me Ukrainën dhe rivalitetin mes ShBA-së dhe Kinës.