Pas shpalljes Mbret, Charles vlerëson mbretërimin e Mbretëreshës Elizabeth II
Pasi u shpall zyrtarisht Mbret, në një ceremony të mbajtur në Pallatin e St James, Mbreti Charles III ka lavdëruar mbretërimin e Mbretëreshës Elizabeth II.
Mbreti u bë monark menjëherë pas vdekjes së nënës së tij, e duke folur përpara Këshillit të Aderimit, Mbreti tha se vdekja e nënës së tij ishte një "humbje e pariparueshme".
Ndërkohë, deputetë të lartë në Dhomën e Komunave, përfshirë kryeministren Liz Truss, janë betuar për besnikëri ndaj monarkut të ri.
Duke mbajtur fjalimin e tij në apartamentet shtetërore të Pallatit të St James në Londër, Mbreti Charles tha:
"Është ngushëllimi më i madh për mua të di për simpatinë e shprehur nga kaq shumë njerëz ndaj motrës dhe vëllezërve të mi dhe se një dashuri dhe mbështetje e tillë dërrmuese po jepet për gjithë familjen tonë në humbjen tonë”.
Më vonë ai foli për "shërbimin vetëmohues" të Mbretëreshës, duke thënë: "Mbretërimi i nënës sime ishte i pashoq në kohëzgjatjen dhe përkushtimin e saj”.
Mbreti më tej shtoi se, ai do të "përpiqej të ndiqte shembullin frymëzues" që ishte vendosur nga nëna e tij në marrjen e "përgjegjësive të rënda të sovranitetit".
Kjo ishte hera e parë që ceremonia historike, që daton shekuj më parë u transmetua në televizion.
Në pjesën e parë të takimit, ku u shpall Mbret, vetë Charles nuk ishte i pranishëm.
Nëpunësi i Këshillit Privat Richard Tilbrook e shpalli Charles-in, "Mbret, kreu i Komonuelthit, mbrojtës i besimit", përpara se të thirrte "Zoti ruaj Mbretin".
Dhoma e mbushur plot, duke përfshirë të gjashtë ish-kryeministrat britanikë, përsëriti frazën.
Më pas, proklamata u lexua në një ballkon mbi Gjykatën Friary në Pallatin St James.

