Emërimi i mbretit Çarls nxit debat për familjen mbretërore në vendet e Commonwealth-it
Emërimi i Çarlsit në pozitën e mbretit e ka rindezur debatin për atë nëse familja mbretërore meriton rol global në shekullin XXI.
Trashëgimia e perandorisë dhe skllavërisë, që është ndërthurur me familjen mbretërore britanike me shekuj, ka ngritur pyetje të vështira për vendin e një mbreti të huaj. Lëvizjet republikane nga Paqësori deri në Amerikën Veriore do të vlerësojnë nëse duhet ta shfrytëzojnë këtë moment.
Zhvillimet e fundit, sidomos bërja e Barbadosit republikë më 2021 dhe heqja e mbretëreshës Elizabetë si udhëheqëse e shtetit, kanë çuar në zhurmë që tash mund ta arrijë kulmin.
Përderisa ka zëra të fuqishëm republikanë në Australi, Zelandë të Re e Kanada, duket se Xhamajka ka më së shumti gjasa që të ballafaqohet me këtë çështje menjëherë, jo më pak për shkak se caktimi i mbretit të ri mund të kërkojë referendum kushtetues.
Të premten, në artikullin kryesor të ballinës së njërës prej gazetave kryesore të Xhamajkës, “Gleaner”, u shkrua se vdekja e mbretëreshës do ta bënte më të lehtë ndarjen e Xhamajkës nga monarkia.
Më 2020, Mikael Phillips, deputet i opozitës në Xhamajkë, kishte paraqitur mocion për ta përkrahur largimin e monarkisë dhe të enjten tha se shpreson që kryeministri “do të lëvizë më shpejt, kur të vendoset monarku i ri”.
Qeveria e Xhamajkës vitin e kaluar i njoftoi planet për të kërkuar nga Londra dëmshpërblim për rreth 600.000 afrikanë, të cilët ishin dërguar në ishull për përfitime financiare të skllavopronarëve britanikë.
Sipas një ankete të bërë këtë vit, më shumë se gjysma e banorëve të Xhamajkës donin që mbretëresha të mos ishte udhëheqëse e shtetit të tyre.
Familja mbretërore është munduar që ta adresojë të kaluarën e përgjakshme perandorake të Britanisë me dekada. Si princ, Çarlsi mori pjesë vitin e kaluar në ceremoninë e Barbadosit dhe mbajti një fjalim pajtimi duke iu referuar “mizorisë së tmerrshme të skllavërisë” që “e njollos përgjithmonë historinë britanike”.
Më shumë se dhjetë milionë afrikanë ishin detyruar që të bëheshin pjesë e tregtisë me skllevër matanë përmes Oqeanit Atlantik nga kombet evropiane. Atyre që mbijetonin gjatë lundrimit, u viheshin prangat në Karaibe dhe në të dy Amerikat.
Belizeja tashmë ka njoftuar për rishikim të kushtetutës, ndërsa udhëheqësia politike në disa territore të largëta britanike si Ishujt e Virgjër Britanikë gjithashtu po lëviz në drejtim të ngjashëm.