Pas masave të Malit e Nigerit, Rusia e akuzon Ukrainën për “front të dytë” - NACIONALE

Pas masave të Malit e Nigerit, Rusia e akuzon Ukrainën për “front të dytë”

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Rusia e ka akuzuar Ukrainën për hapjen e një “fronti të dytë” në luftën mes tyre në Afrikë, pasi Mali dhe Nigeri i ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Kievin, duke e akuzuar për mbështetje të “grupeve terroriste”.

Inteligjenca ushtarake e Ukrainës para disa ditëve kishte pretenduar se kishte rol në një sulm të rebelëve kundër mercenarëve të grupit “Wagner” dhe ushtarëve të Malit.

Mali vendosi që t’i ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me Ukrainën. Njësoj veproi më pas edhe Nigeri fqinj. Ky vend ka thënë se do të kërkojë nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara që të debatojë për “agresionin” e Ukrainës.

Nigeri dhe Mali qeverisen nga qeveri ushtarake që e kanë marrë pushtetin rishtazi përmes puçeve. Të dyja këto vende kanë shfuqizuar marrëveshje të mbrojtjes me Francën dhe janë kthyer nga Rusia për mbështetje ushtarake.

“I paaftë për ta mposhtur Rusinë në fushën e betejës, regjimi kriminal i Volodymyr Zelenskyt ka hapur një front të dytë në Afrikë” – tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, sipas agjencisë së lajmeve RIA, përcjell televizioni "Al Jazeera".

Ajo e akuzoi Ukrainën se “po i kënaq kërkesat e grupeve terroriste në shtetet e kontinentit që është miqësor me Moskën”.

Lajme të ngjashme