Pas marrjes së Aleppos, rebelët sirianë e rrethojnë qytetin strategjik, Hama - NACIONALE

Pas marrjes së Aleppos, rebelët sirianë e rrethojnë qytetin strategjik, Hama

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rebelët sirianë të mërkurën e rrethuan qytetin qendror, Hama, “nga tri anë”, tha një vëzhgues i luftës, pavarësisht një kundërsulmi të nisur nga forcat qeveritare për ta mbajtur kontrollin e qytetit.

Hama ka pozicion strategjik qendror në Siri dhe, për ushtrinë e presidentit Bashar al-Assad, ky vendbanim është jetik për ta ruajtur kryeqytetin dhe ulësen e qendrën e pushtetit, Damaskun. Luftimet përreth Hamas vijnë pas ofensivës së shpejtë nga rebelët, të cilët brenda disa ditëve kapën pjesë të mëdha territori, përfshirë qytetin e dytë më të madh të vendit, Aleppon.

Vëzhguesi me bazë në Britani, i cili mbështetet në një rrjet të burimeve në Siri, tha se forcat qeveritare “kanë mbetur me vetëm një dalje drejt Homsit në jug”, raporton gazeta “The Guardian”.

Çelësi i suksesit të rebelëve që nga fillimi i ofensivës javën e kaluar ishte kapja e qytetit Aleppo, i cili për më shumë se një dekadë luftë kurrë nuk kishte dalë tërësisht nga duart e forcave qeveritare.

Kreu i grupit rebel islamist Hayat Tahrir al-Sham (HTS), Abu Mohammad al-Jolani, të mërkurën e vizitoi kalanë e Aleppos. Në fotografi të publikuara në kanalet e rebelëve në rrjetin “Telegram”, Jolani shihej duke i përshëndetur përkrahësit nga një veturë me tavan të hapur, përderisa po e vizitonte kalanë historike.

Në Hama, vozitësi 36-vjeçar, Wassim, tha se zhurmat ishin “vërtet të tmerrshme” dhe se bombardimi i vazhdueshëm ishte qartazi i dëgjueshëm. “Do të qëndroj në shtëpi, sepse nuk kam ndonjë vend tjetër ku të shkoj” – tha ai.

Përderisa rebelët që po avancojnë kanë hasur në pak rezistencë më herët gjatë ofensivës, luftimet përreth qytetit Hama kanë qenë posaçërisht të ashpra.

Assadi ka dhënë urdhër për rritje 50 për qind të pagave të ushtarëve të karrierës, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve “Sana”, me synim të fuqizimit të forcave të tij për kundërsulmin ndaj rebelëve.

Një burim ushtarak i cituar nga kjo agjenci kishte raportuar më herët për “beteja të ashpra” kundër rebelëve në provincën veriore të Hamas që nga mëngjesi, duke shtuar se “aeroplanët e përbashkët sirianë e rusë” ishin pjesë e përleshjeve./Nacionale

Lajme të ngjashme