Pas ikjes nga atdheu, ukrainasit ballafaqohen me të ardhme të paqartë në Evropë - NACIONALE

Pas ikjes nga atdheu, ukrainasit ballafaqohen me të ardhme të paqartë në Evropë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kur arriti në Angli para gati dy vjetëve, Mila Manchenko kishte menduar se udhëtimi i saj i gjatë me muaj nga qyteti i shkatërruar ukrainas, Mariupol, kishte mbaruar dhe se ajo do të zinte vend diku.

Megjithatë, pasi kishte ndryshuar shtëpi katër herë nga ajo kohë, ukrainasja 55-vjeçare është shpallur e pastrehë dhe e ardhmja e saj është e paqartë. Ajo nuk ka asnjë vend ku do të kthehej. Blloku banesor ku jetonte, në qytetin bregdetar të pushtuar nga rusët, ishte bombarduar e pastaj ishte rrënuar, raporton agjencia “Reuters”.

Në dhomën e saj, në një strehimore të përkohshme për të pastrehët, që menaxhohet nga organizata bamirëse YMCA në Hatfield, qytezë rreth 30 kilometra në veri të Londrës, Panchenko thotë që ndihet se është në mëshirën e Qeverisë së Britanisë.

Zonja Panchenko s’është e vetmja. Ukrainasit janë katër herë më të rrezikuar nga mbetja pa strehë se familjet e tjera në vend, sipas hulumtimeve të Kryqit të Kuq. Disa nga mbi 200 mijë ukrainasit që tani jetojnë në Britani brengosen se a do t’u lejohet ndonjëherë vendosja e përhershme në këtë shtet.

Është problem që ndihet në mbarë Evropën, ShBA e Kanada, të cilat ende po strehojnë mbi gjashtë milionë refugjatë, dy vjet pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës.

Ka dhembshuri të thellë për ukrainasit, sipas anketave, por kur luftës nuk po i shihet ende fundi, qeveritë që u kishin ofruar atyre ndihmë afatshkurtër tani ballafaqohen me një faturë shumë më të lartë se që kishin pritur dhe po synojnë që t’i kontrollojnë shpenzimet.

Ditëve të fundit, Britania e ka shkurtuar në 18 muaj kohën e lejuar për qëndrim të ardhurve të rinj dhe ka mbyllur një skemë që u lejonte ukrainasve për t’iu bashkuar familjeve britanike.

Mbretëria e Bashkuar edhe i ka zvogëluar fondet për disa këshilla lokalë, në mënyrë të ngjashme me zvogëlimet që po shqyrtohen në Irlandë dhe që tashmë janë bërë nga disa shtete të Evropës Lindore.

Përderisa javën e kaluar ofroi zgjatje të afatit të vizave për 18 muaj për refugjatët ukrainas që tashmë ndodhen në Britani, Ministria e Brendshme tha se e përkraha “shpresën e Qeverisë së Ukrainës që qytetarët e saj në fund do të kthehen”.

Sidoqoftë, zonja Panchenko nuk ka shtëpi në të cilën do të kthehej në Mariupol. Ajo dëshiron që ta ndërtojë jetën në Hatfield, vendbanim që ishte zhvilluar si rrjedhë nga Londra pas Luftës së Dytë Botërore.

“Para së gjithash, do të doja që ta falënderoj këtë vend” – tha Panchenko në dhomën e saj, ku ka vendosur një pikturë të kryeqytetit ukrainas, Kiev.

“Ne duam që të jemi të dobishëm këtu” – shtoi ajo për ukrainasit që u janë shkatërruar shtëpitë si asaj dhe qytezat e tyre janë nën pushtimin rus.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme