Pas Britanisë, Ukrainës i tensionohen raportet edhe me Poloninë, thirren ambasadorët
Ukraina dhe Polonia i thirrën të martën në takime ambasadorët e njëra-tjetrës pas eskalimit të një mosmarrëveshjeje, kur një këshilltar për politikë të jashtme i presidentit polak, Andrzej Duda, tha se Kievi duhet të shfaqë më shumë vlerësim për përkrahjen që Varshava ia ka dhënë gjatë luftës kundër Rusisë.
Këshilltari, Marcin Mrzydacz, gjithashtu tha se qeveria polake duhet t’i mbrojë interesat e bujqve të vendit, duke iu referuar vendimit për ndalimin e importimit të mallrave ukrainase, afati i të cilit skadon muajin e ardhshëm, raporton agjencia “Reuters”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri apel për unitet në kohën e tensioneve diplomatike, duke thënë se nuk mund të ketë “çarje” në mburojën e përkrahjes solide polake që i është dhënë Ukrainës.
Polonia dhe Ukraina kanë qenë aleate të palëkundura gjatë luftës që shpërtheu pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në shkurtin e viti të kaluar, por komunikimi i ri i shpërfaq çështjet e diskutueshme.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleh Nikolenko, tha se ambasadorit polak i është thënë në takim se deklaratat për pretendimin rreth mungesës së mirënjohjes nga Ukraina për Poloninë ishin “të pavërteta dhe të papranueshme”.
“Ne jemi të bindur se miqësia ukrainaso-polake është shumë më e thellë se përshtatshmëria politike. Politika nuk duhet t’i vërë në pikëpyetje mirëkuptimin e përbashkët dhe fuqinë e marrëdhënieve mes popujve tanë”- thuhet në deklaratën e autoriteteve ukrainase.
Në anën tjetër, edhe Polonia e ftoi në takim ambasadorin ukrainas si reagim ndaj “komenteve të përfaqësuesve të autoriteteve ukrainase”, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme e Polonisë.
Bashkimi Evropian i lejoi në maj Poloninë, Bullgarinë, Hungarinë, Rumaninë dhe Sllovakinë që ta ndalonin shitjen e disa prodhimeve bujqësore ukrainase në territoret e tyre.
Kryeministri polak tha këtë muaj se vendi i tij nuk do ta shfuqizojë vendimin për ndalimin e importimit të prodhimeve ukrainase më 15 shtator, edhe nëse BE-ja nuk pajtohet për zgjatjen e afatit të tij.
