Parlamenti i BE-së i kërkon Serbisë të rishqyrtojë marrëdhëniet me Rusinë - NACIONALE

Parlamenti i BE-së i kërkon Serbisë të rishqyrtojë marrëdhëniet me Rusinë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Serbia duhet të tregojë përkushtimin e saj ndaj politikave dhe standardeve të BE-së dhe pritet prej saj të rishqyrtojë marrëdhëniet me Rusinë për ekonominë, mbrojtjen dhe dezinformimin e Kremlinit, thuhet në raportin që do të votohet në fillim të kësaj jave nga komiteti i politikës së jashtme të Parlamentit Evropian (AFET).

Komiteti do të votojë projekt-dokumentin nga 13-14 qershor, pas së cilës ligjvënësit e Parlamentit Evropian do ta votojnë në korrik. Drafti, i bazuar në një raport të vitit 2021 nga Komisioni Evropian, është plotësuar me ndryshime të shumta.

Për përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE, komiteti shkruan se varet nga mënyra se si Serbia përparon në miratimin e kapitujve për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore. Përafrimi i plotë me politikat e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes të BE-së, përfshirë sanksionet kundër Rusisë, dhe përparimi në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën janë gjithashtu vendimtare.

Raporti i Komisionit mbi të cilin bazohet projektdokumenti vuri në dukje se Serbia është një nga shtetet e pakta evropiane që nuk iu bashkua sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë. Dokumenti kërkoi gjithashtu autoriteteve të reja të Serbisë që të demonstrojnë “një angazhim të vërtetë dhe të qartë ndaj vlerave, standardeve dhe rregullave të BE-së”.

Serbia gjithashtu duhet të përafrohet urgjentisht me pozicionet dhe vendimet e BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke përfshirë sanksionet kundër individëve, grupeve dhe subjekteve nga Rusia dhe Bjellorusia, si dhe të rishqyrtojë bashkëpunimin e saj ekonomik me Rusinë, shkruan gjithashtu dokumenti.

Ligjvënësit shprehën gjithashtu keqardhje që fluturimet Beograd-Moskë vazhduan të funksionojnë normalisht ndërsa BE-ja kishte mbyllur hapësirën e saj ajrore për avionët rusë.

Lajme të ngjashme