Paralajmëron ShBA: Irani mund të prodhojë materiale për bombë bërthamore në 12 ditë - NACIONALE

Paralajmëron ShBA: Irani mund të prodhojë materiale për bombë bërthamore në 12 ditë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Mbrojtjes të ShBA-së, ka paralajmëruar se Irani mund të prodhojë material të mjaftueshëm për një bombë bërthamore në “rreth 12 ditë.”

Sipas DailyMail, nënsekretari i Mbrojtjes për Politikën, Colin Kahl e ka bërë komentin në një senacë dëgjimore të Dhomës së Përfaqësuesve, i pyetur se pse administrata e Biden po kërkonte ringjalljen e marrëveshjes së Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA).

Ai është përgjigur duke thënë: “Sepse përparimi bërthamor i Iranit që kur u larguam nga JCPOA ka qenë i jashtëzakonshëm. Në vitin 2018, kur administrata e mëparshme vendosi të largohej nga JCPOA, Iranit do t'i duheshin rreth 12 muaj për të prodhuar materiale të zbërthyeshme me vlerë të një bombe.”

Materiali i zbërthyeshëm është material i aftë për të mbajtur një reaksion zinxhir të ndarjes bërthamore, siç është uraniumi.

Ai ka shtuar se, “tani do të duheshin rreth 12 ditë për të prodhuar mjaftueshëm material” dhe se “ekziston ende mendimi se nëse mund ta zgjidhet kjo çështje në mënyrë diplomatike dhe të vendosen kufizime në programin e tyre bërthamor, është më mirë se opsionet e tjera.”

Ndërkohë, edhe zëvendësndihmës Sekretarja e Mbrojtjes Dana Stroul, e ka përshkruar Republikën Islamike si një 'kërcënim global', veçanërisht për shkak të aleancës së saj ushtarake në rritje me Rusinë, ushtritë e së cilës aktualisht janë duke pushtuar Ukrainën.

Zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar në mënyrë të përsëritur kohën që do të merrte prodhimi i materialeve për një bombë për Iranin, megjithatë deri më tani nuk ka pasur një përgjigje kaq specifike se ajo e Kahl.

E ndërsa zyrtarët amerikanë kanë thënë se Irani është afruar më shumë me prodhimin e materialit të zbërthyeshëm, ata nuk besojnë se e vendi e zotëron teknologjinë për të ndërtuar realisht një bombë.

Kujtojmë se sipas marrëveshjes së vitit 2015, të cilën presidenti i atëhershëm i ShBA-së Donald Trump e braktisi në 2018, Irani kishte frenuar programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit nga sanksionet ekonomike. Por, Trump rivendosi sanksionet amerikane, duke e bërë Teheranin të rifillojë punën bërthamore të ndaluar më parë dhe duke ringjallur frikën e ShBA-së, Evropës dhe Izraelit se Irani mund të krijojë një bombë atomike. Megjithatë, deri më tani Irani ka mohuar të ketë ambicie të tilla.

Gjatë dy viteve të fundit, administrata aktuale në Shtëpinë e Bardhë është përpjekur, por nuk ka arritur të ringjallë paktin e 2015-ës.

Lajme të ngjashme