Papa thotë se vetëm të pasurit mund ta përballojnë rritjen e fëmijëve në Itali
Nisja e një familjeje në Itali po bëhet “përpjekje titanike” që mund ta përballojnë vetëm të pasurit, tha të premten Papa Françesku, duke paralajmëruar se kushtet “e egra” të tregut të lirë po i parandalojnë të rinjtë që të kenë fëmijë.
Numri i lindjeve në Itali ra nën 400 mijë më 2022 për herë të parë, duke e regjistruar rënien e 14-të vjetore rresht, ndërsa numri i përgjithshëm i popullsisë u zvogëlua për 179 mijë dhe ra në 58,85 milionë, raporton agjencia “Reuters”.
Duke folur në një konferencë për krizën demografike në rritje, Papa Françesku tha se shkalla në rënie e lindjeve sinjalizon mungesë të shpresës për të ardhmen dhe se të rinjtë po dekurajohen nga ndjenjat e pasigurisë, brishtësisë dhe rrezikshmërisë.
“Vështirësia për të gjetur një vend të qëndrueshëm pune, vështirësia për të mbajtur një të tillë, shtëpitë e shtrenjta në mënyrë ndaluese, qiratë të larta deri në qiell dhe pagat e pamjaftueshme janë probleme reale”- tha ai, përderisa ishte ulur pranë kryeministres Giorgia Meloni.
“Tregu i lirë, pa masat e nevojshme korrektuese, bëhet i egër dhe prodhon situata serioze dhe pabarazi gjithnjë më shumë”- shtoi ai.
Sipas tij, kafshët shtëpiake po i zëvendësojnë fëmijët në disa familje dhe tregoi se si një grua e kishte hapur çantën e saj dhe kërkoi bekim për “beben e saj”, ndërsa më pas u mor vesh se bëhej fjalë për një qen.
“E humba durimin dhe e qortova atë, duke thënë se shumë fëmijë janë të uritur e ti më sjell një qen”- tha papa.
Zvogëlimi i numrit të popullsisë është brengë e madhe për shtetin e tretë më të madh të Eurozonës. Ministri i Ekonomisë paralajmëroi këtë javë se ka rrezik që prodhim vendës bruto i Italisë të bjerë për 18 për qind gjatë dy dekadave të ardhshme, nëse vazhdon trendi i tanishëm i lindjes së fëmijëve.
