Kinës i zvogëlohet popullsia për herë të parë në më shumë se 60 vjet
Kina ka hyrë në një “epokë të rritjes negative të popullsisë”, pasi statistikat treguan një rënie historike të numrit të njerëzve që jetojnë në këtë shtet për herë të parë që nga viti 1961.
Shteti i madh aziatik pati 1 miliard e 411 milionë e 750 mijë banorë në fund të vitit 2022, në krahasim me 1 miliard e 412 milionë e 60 mijë një vit më parë ose 850 mijë më pak, tha të martën Byroja Kombëtare e Statistikave. Kjo statistikë e shënon atë që pritet të jetë periudhë e gjatë e rënies së numrit të popullsisë, pavarësisht nga përpjekjet qeveritare për ta luftuar këtë dukuri.
Duke folur një ditë para publikimit të të dhënave, Cai Fang, nënkryetar i Komisionit për Bujqësi dhe Çështje Rurale në Kongresin Kombëtar Popullor, tha se popullsia e Kinës e arriti kulmin më 2022, shumë më herët se që është pritur. “Ekspertët në fushën e popullsisë dhe ekonomisë kanë parashikuar se më 2022 ose jo më vonë se më 2023, vendim im do të hyjë në një epokë të rritjes negative të popullsisë”- tha Cai.
Qeveria kineze me vite është përpjekur që t’i nxisë njerëzit që të kenë më shumë fëmijë dhe që ta shmangin krizën demografike që po duket në horizont e që po shkaktohet nga plakja e popullsisë. Përmes politikave të reja është synuar që të lehtësohet barra financiare e sociale për rritjen e fëmijëve përmes subvencioneve e lirimit nga taksat.
Disa provinca ose qytete kanë marrë vendim për t’u dhënë para prindërve që bëhen me fëmijën e dytë ose të tretë. Javën e kaluar, në qytetin Shenzhen u njoftua për nxitje financiare që përkthehet në 37.500 juanë ose rreth 5.550 dollarë për familjet që janë bërë me fëmijën e tretë.
Megjithatë, në një konferencë për gazetarë të martën, Kang Yi, drejtor i Byrosë Kombëtare të Statistikave, tha se fuqia e përgjithshme punëtore e Kinës ende e tejkalon kërkesën e tregut dhe se njerëzit nuk duhet të brengosen për rënien e numrit të popullsisë.
Pritet që Kina së shpejti ta humbë vendin e parë në botë sa i përket numrit të popullsisë. Ky vend do të mbahet nga India.

