Papa Leoni bën thirrje për armëpushim në Gaza, e vajton vdekjen e fëmijëve - NACIONALE

Papa Leoni bën thirrje për armëpushim në Gaza, e vajton vdekjen e fëmijëve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Papa Leoni të mërkurën bëri thirrje për armëpushim në Gaza dhe u bëri thirrje Izraelit e Hamasit që ta respektojnë plotësisht të drejtën humanitare ndërkombëtare.

“Në Rripin e Gazës, të qarat intensive po arrijnë në qiell gjithnjë më shumë nga nëna e baballarë që i mbajnë fort trupat e fëmijëve të tyre të vdekur” – tha Papa Leoni gjatë fjalimit të tij të përjavshëm në Sheshin e Shën Pjetrit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Për ata që janë përgjegjës, po e përtërij thirrjen time: ndalini luftimet. Lirojini të gjitha pengjet. Respektojeni plotësisht të drejtën humanitare” – shtoi ai.

I zgjedhur papë më 8 maj për ta zëvendësuar Papa Françeskun e ndjerë, Papa Leoni gjithashtu bëri thirrje për përfundimin e luftës në Ukrainë.

Ai i kritikoi sulmet e reja kundër civilëve dhe infrastrukturës në Ukrainë gjatë sulmeve më të mëdha ajrore ruse që nga fillimi i luftës më 2022.

“E përsëris me forcë apelin tim për ta ndalur luftën dhe për të mbështetur çdo nismë të dialogut dhe paqes” – tha Papa Leoni.

Mijëra palestinezë vrapuan drejt një vendi ku po shpërndaheshin ndihma në Gaza të martën, pas një bllokade 11-javore të Izraelit në enklavën e shkatërruar nga lufta. Izraeli e vendosi bllokadën ndaj ndihmave në mars, duke e akuzuar Hamasin se po i sekuestronte dërgesat që ishin të caktuara për civilët, akuzë që është mohuar nga grupi palestinez.

Lajme të ngjashme