Paneli i emëruar nga Trumpi e miraton monedhën e arit me figurën e tij në të
Një panel federal i arteve, i përbërë nga anëtarë të emëruar nga presidenti amerikan, Donald Trump, të enjten njëzëri miratuan një monedhë komemorative të arit ku paraqitet figura e tij.
Kritikët, përfshirë disa demokratë dhe anëtarë të një komiteti tjetër federal të arteve, thanë se shtypja e një monedhe me imazhin e një presidenti aktual bie ndesh me vlerat amerikane, sidomos kur vendi e feston 250-vjetorin e shpalljes së pavarësisë këtë vit dhe fundit e pushtetit monarkik britanik, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Gjatë një prezantimi nga një zyrtar amerikan para Komisionit të Arteve të Bukura, diskutimi u kthye në atë se çfarë diametri duhet të ketë monedha 24-karatëshe, maksimumi tre inç.
Chamberlain Harris, 26 vjeçe, ndihmëse në Shtëpinë e Bardhë, e emëruar këtë vit nga Trumpi në këtë komision, tha se monedha më e madhe e mundshme do të parapëlqehej nga presidenti.
“Sa më e madhe, aq më e mirë” – tha ajo, pak para se monedha të miratohej nga i tërë paneli.
Trumpi tashmë e ka miratuar dizajnin dhe pritet që sekretari i Thesarit, Scott Bessent, figurë besnike e presidentit, do ta urdhërojë shtypjen e monedhës.
Shtëpia e Bardhë i referoi pyetjet te Departamenti i Thesarit.
Jeff Merkley, senator i Partisë Demokratike, pati kritika. Ai agjencisë “Reuters” në një deklaratë i tha: “Monarkët dhe diktatorët i vendosin fytyrat e tyre në monedha, jo udhëheqësit e një demokracie.”
Administrata e Trumpit ka propozuar edhe një monedhë tjetër 1-dollarëshe që do ta mbante imazhin e Trumpit dhe do ta shënonte Deklaratën e Pavarësisë të vitit 1776./Nacionale